Një luftë e madhe tankesh, mund të vendosë fatin e Ukrainës!
Daniel Davis
Rusia dhe Ukraina duket se janë në fazat e fundit të përgatitjes për Betejën e Donbasit, pra të asaj që duket se do të jetë beteja më e madhe e tankeve në Evropë që nga Beteja vendimtare e Kurskut në Luftën e Dytë Botërore. Rreziqet si për Moskën ashtu edhe për Kievin nuk mund të jenë më të larta.
Ecuria e gjithë luftës mund të varet nga rezultati në Donbas. Më 24 shkurt, forcat ruse nisën pushtimin e Ukrainës në 4 fronte kryesore: afër Kievit, Kharkivit në veri, Donbasit në lindje dhe në jug nëpërmjet gadishullit të Krimesë. Duke e shpërndarë shumë numrin e kufizuar të trupave të saj, udhëheqja ushtarake ruse shkeli një nga parimet më të vjetra të luftës: masën.
Në vend se të përcaktonin një objektiv parësor, dhe ta përdornin pjesën më të madhe të fuqisë së tyre luftarake për të pushtuar atë objektiv, rusët i shpërndanë forcat e tyre aq gjerësisht saqë forcat ukrainase ishin në gjendje që t’i zmbrapsnin në të katërta frontet.
Pasi pësoi humbje të rënda në rrethinat perëndimore dhe veriore të Kievit, Rusia i pranoi publikisht dështimet e saj, dhe rreth 1 muaj pas fillimit të luftës mori vendimin për të kufizuar dëmet e saj në rajonet e Kievit dhe Sumy, duke i tërhequr të gjitha forcat e saj nga atje, dhe duke i ri-pozicionuar ato në anën lindore në rajonin e Donbasit.
Rusia i mbajti forcat e saj në veri të Kharkivit, duke kryer sulme të kufizuara ajrore dhe duke përdorur zjarrin e artilerisë për të penguar tërheqjen e forcave të armatosura të Ukrainës, dhe bashkimin e tyre në luftën e Donbasit. Në jug të Donbasit, Rusia është në fazën përfundimtare të shkatërrimit të njësive mbrojtëse të Ukrainës në Mariupol.
Pentagoni minimizon provën me raketë të re balistike të Rusisë
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby minimizoi provën e Rusisë me një raketë të re balistike ndërkontinentale, për të cilën Kremlini thotë se do të jetë në qendër të strategjisë së tij bërthamore.
Presidenti rus Vladimir Putin e quan raketën “Sarmat” një armë me aftësi unike që mund të depërtojë sistemet e mbrojtjes nga raketat. Shefi i agjencisë ruse të hapësirës Dmitry Rogozin e quajti në mënyrë provokative provën e së mërkurës me këtë raketë si "një dhuratë për NATO-n".
Por, zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby tha se "Rusia njoftoi siç duhet Shtetet e Bashkuara në bazë të detyrimeve të saj bazuar në marrëveshjen e re START që po planifikonte të bënte këtë provë me raketë balistike ndërkontinentiale. Provat e tilla janë rutinë. Nuk ishte një surprizë. Ne nuk e konsideruam provën si një kërcënim për Shtetet e Bashkuara ose aleatët e saj.”
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi lëshimin e parë të raketës së re balistike ndërkontinentale “Sarmat”. Presidenti Vladimir Putin tha se kjo armë është unike dhe do t'i bëjë ata që kërcënojnë Rusinë "të mendojnë dy herë"./VOA
Takimi i G20, Yellen largohet në momentin kur përfaqësuesi rus fillon fjalimin
Sekretarja e Thesarit Janet Yellen dhe ministri ukrainas i Financave, Serhiy Marchenko u larguan nga një takim i G20-ës të mërkurën, ndërsa përfaqësuesi i Rusisë filloi të bisedonte.
Disa ministra të financave dhe guvernatorë të bankave qendrore u larguan gjithashtu nga takimi, sipas një zyrtari që kishte njohuri për takimin, i cili foli në kushte anonimiteti.
Disa ministra dhe guvernatorë të bankave qendrore që morën pjesë fikën kamerat e tyre kur përfaqësuesi i Rusisë filloi të fliste. Kjo ndodhi gjatë gjatë takimeve pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.
Efektet brutale të luftës së Rusisë kundër Ukrainës ishin në qendër të vëmendjes dhe zyrtarët e Departamentit të Thesarit thanë në fillim të kësaj jave se zonja Yellen do të përpiqej të shmangte kontaktin me zyrtarët rusë./VOA
Paralajmëron Zelensky: Rusia do të përballet me sanksione “vërtetë të dhimbshme”
Në një video-fjalim në ditën e 56-të të luftës, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha se Bashkimi Evropian po planifikonte një paketë të gjashtë sanksionesh ndaj Rusisë.
"Ne po punojmë për ta bërë atë vërtet të dhimbshme për makinën ushtarake ruse dhe shtetin rus në tërësi," tha Zelensky, duke shtuar se ai kishte "bisedime shumë të plota" me presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel për çështjet mbrojtëse dhe financiare, si dhe sanksionet, raporton BBC, përcjell "Bota sot".
“Në veçanti, sanksionet do të ofrojnë kufizime në sektorin energjetik të Rusisë, sektorin bankar, eksportet, importet dhe transportin”.
Ai përsëriti gjithashtu thirrjen e tij për një embargo të plotë ndaj furnizimeve ruse të naftës.
Zelensky tha se ai foli me Michel për "kërcënimin për krizën ushqimore dhe energjitike në Evropë" dhe mundësinë e rifillimit të eksporteve bujqësore ukrainase dhe bllokimin e "aftësisë së Rusisë për të shantazhuar Evropën".
Para takimit të tyre, shefi i Këshillit Evropian vizitoi Borodyanka në Kiev me ekipin e tij, tha Zelensky, dhe "pa me sytë e tij shkatërrimin që ata [Rusia] kishin shkaktuar".
“Nuk mund të ketë drejtësi pa paqe”, tha Zelensky duke shtuar se ushtria dhe komandantët rusë do të mbahen fajtorë për krime lufte.
“Çdo mbiemër, çdo adresë shtëpie, çdo llogari bankare – do të gjejmë gjithçka”.
Forcat ruse vazhdojnë sulmin në fabrikën e çelikut në Mariupol
Një ushtarak i lartë amerikan i mbrojtjes thotë se Rusia siguroi përfitime të vogla të mërkurën në pushtimin e saj në Ukrainë, raporton BBC, përcjell “Bota sot”.
Instituti për Studimin e Luftës raportoi përfitime margjinale nga sulmi i vazhdueshëm rus nga ajri dhe toka në Mariupol.
Luftëtarët ukrainas në qytetin port të sulmuar janë futur në kompleksin masiv të Uzinës së Çelikut Azovstal.
Vlerësimi ditor i inteligjencës zbuloi gjithashtu se forcat pushtuese kishin kapur pjesërisht dy qytete kryesore të vijës së frontit në lindje: Rubizhne dhe Popasna.
Asnjë përparim i madh territorial nuk është bërë ende, shtoi ai, por trupat ruse vazhdojnë të sulmojnë në rajonet e populluara Kharkiv dhe Kherson./A.M