Tre të vrarë nga të shtënat në Danimarkë

Bota

Tre të vrarë nga të shtënat në Danimarkë

Më: 4 korrik 2022 Në ora: 08:24
Kopenhagë, 3 korrik 2022.

Tre persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur nga të shtënat në një qendër tregtare në Konpenhagë të dielën, tha policia daneze, duke shtuar se një danez, 22 vjeç, është arrestuar dhe po akuzohet për këtë ngjarje.

“Danimarka është goditur nga një sulm mizor të dielën mbrëma. Disa u vranë. Ka edhe të plagosur. Familje të pafajshme që kishin dalë për pazar apo për të ngrënë jashtë. Fëmijë, adoleshentë dhe të rritur”, tha kryeministrja e Danimarkës, Mette Frediksen përmes një deklarate të dielën në mbrëmje.

“Dua të inkurajoj danezët që të qëndrojnë së bashku në këtë kohë të vështirë”, theksoi ajo.

Policia në Konpehagë tha se zyrtarët policorë shkuan në qendrën tregtare Field të dielën pasdite pas raportimeve për të shtëna. Në videot e publikuara nga mediat lokale u panë grupe njerëzish duke u larguar me vrap nga qendra tregtare.

Të dyshuarit i janë gjetur një pushkë dhe municion. Policia më pas nisi një operacion për të kuptuar nëse i dyshuari kishte ndonjë bashkëpunëtor. Ai do të merret në pyetje nga një gjykatës të hënën.

“Ne do të kryejmë një hetim të madh derisa të jemi të bindur se ai [sulmuesi i dyshuar] ishte i vetëm”, tha inspektori i policisë, Søren Thomassen.

Thomessen tha se një nga viktimat ishte një burrë në të 40-tat dhe dy të rinj, një burrë dhe një grua. Disa të tjerë janë të plagosur, tre prej të cilëve në gjendje kritike.

Sipas tij, hetimi i deritanishëm nuk ka treguar se ky sulm ka motive raciste, por kjo mund të ndryshojë.

Spitali kryesor i qytetit, Rigshospitalet, të dileën në mbrëmje tha se ka pranuar “një grup të vogël pacientësh” për trajtim dhe se ka thirrur staf shtesë.

Qendra tregtare ku ndodhën të shtënat gjendet rreth 5 kilometra në jug të qendrës së Konpenhagës.

Sulmi i së dielës vjen pas të shtënave vdekjeprurëse javën e kaluar në Norvegjinë fqinje, ku në Oslo u vranë dy persona nga një sulmues i armatosur.

Kërcënimi terrorist ndaj Danimarkës aktualisht vlerësohet se është “serioz” dhe kërcënimi kryesor konsiderohet të jetë nga “militantët islamikë”, thuhet në raportin e fundit të shërbimit danez për siguri dhe inteligjencë. Ndërkaq, kërcënimi nga ekstremistët e krahut të djathtë konsiderohet të jetë në nivel “të përgjithshëm”.

Më 2015, Danimarka ishte përballur me një sulm militant, nga i cili ishin vrarë dy persona dhe ishin plagosur gjashtë policë pasi një sulmues shtiu me armë zjarri jashtë një qendre kulturore ku po mbahej një debat për lirinë e shprehjes. Më vonë, sulmuesi kishte vrarë një person jashtë një sinagoge në qendër të Konpehagës. Më pas, ai ishte vrarë gjatë përleshjes me policinë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat