Rusia thotë se ka sulmuar Ishullin e Gjarprit

Bota

Rusia thotë se ka sulmuar Ishullin e Gjarprit

Më: 7 korrik 2022 Në ora: 13:23
Një fotografi e postuar nga Ukraina më 7 korrik ku shihen disa ushtarë që ngrenë flamurin ukrainas në Ishullin e Gjarprit.

Ushtria ruse tha se avionët e saj kanë sulmuar Ishullin e Gjarprit, pasi trupat ukrainase pretenduan se kanë ngritur flamurin e Ukrainës në këtë vend strategjik në Detin e Zi.

Sulmi ndodhi në orët e para të 7 korrikut dhe ka “shkatërruar” pjesë të njësive të vendosura ukrainase në këtë ishull, tha gjenerallejtënant, Igor Konashenkov, zëdhënës i Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

“Rreth orës 05:00, disa ushtarë ukrainas arritën në ishull përmes një anijeje motorike, bën disa fotografi së bashku me flamurin e tyre. Një avion i forcave ajrore ruse menjëherë kreu sulm me precizitet të lartë në Ishullin e Gjarprit, dhe si rezultat i këtij sulmi, një pjesë e personelit të ushtrisë ukrainase u shkatërruan”, tha Konashekov përmes një videoje.

Serhiy Bratchuk, kreu i administratës rajonale të Odesës, konfirmoi se ishulli është sulmuar, edhe pse ai nuk dha detaje për dëmet e shkaktuara apo për viktima.

Ky ishull i vogël ka një rëndësi strategjike sepse ka afërsi të madhe me rrugët detare për në portin ukrainas të Odesës.

Por, ky ishull ka edhe rëndësi simbolike qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës pothuajse pesë muajt më parë. Forcat ruse u tërhoqën nga ishulli më 30 qershor pasi u përballën me bombardime të ashpra nga artileria ukrainase.

Më 7 korrik u postua një video ku u shfaqën tre ushtarë ukrainas duke ngritur flamurin e Ukrainës. Kjo video u shpërnda në Telegram edhe nga Andriy Yermak, shef i stafit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.

Por, ende është e paqartë se kur është incizuar kjo video./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat