OBSh: Në Siri janë regjistruar mbi 10 mijë raste të kolerës

Bota

OBSh: Në Siri janë regjistruar mbi 10 mijë raste të kolerës

Më: 5 tetor 2022 Në ora: 23:19
Siri

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) raportoi se në Siri janë regjistruar më shumë se 10 mijë raste që nga fillimi i epidemisë së kolerës.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus në konferencën javore për media në selinë e organizatës në Gjenevë njoftoi të dhënat më të fundit mbi epideminë e kolerës në Siri dhe Haiti, shkruan Anadolu.

Ai tha se rastet me kolerë janë rritur në mbi 10 mijë në 6 javët e fundit në të gjithë Sirinë.

“Në epideminë, e cila është shfaqur për herë të parë në Haiti pas 3 vitesh, 2 raste janë konfirmuar nga autoritetet zyrtare, ndërkaq 20 raste tjera dhe 7 vdekje janë nën hetim”, tha Ghebreyesus.

Duke mbrojtur pikëpamjen se numri i rasteve të kolerës në Haiti është më i lartë se sa ishte njoftuar, Ghebreyesus tha: “Kjo epidemi ka shkaktuar një pengesë për Haitin, i cili po përgatitet të bëhet vend i pastruar plotësisht nga kolera deri në fund të vitit”.

Kreu i OBSH-së thekson se mikrobi i kolerës mund të parandalohet me vaksina dhe ujë të pastër dhe se shumë njerëz nuk kanë akses në mjetet e luftimit të kolerës.

Thirrje për prodhuesit e vaksinave që “të rrisin vaksinat e kolerës”

Duke informuar se 27 milionë doza të vaksinës u dërguan në rajonet në nevojë vitin e kaluar nga stoku i vaksinave të prodhuara nga OBSH-ja kundër kolerës në vitin 2013, Ghebreyesus u bëri thirrje kompanive farmaceutike kryesore në botë që të bashkëpunojnë me OBSH-në për të rritur prodhimin e vaksinave.

Ghebreyesus kujtoi se epidemia e Ebolës që shpërtheu sërish në Ugandë, epidemitë që nisën pas fatkeqësisë së përmbytjeve në Pakistan dhe pandemia aktuale e COVID-19 dhe lisë së majmunit janë në agjendën botërore.

“Kjo situatë thekson faktin se të gjitha vendet duhet urgjentisht të zhvillojnë sistemin e tyre të mbrojtjes kundër epidemive”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat