Italia thotë se do të jetë mikpritësja e bisedimeve të radhës mes SHBA dhe Iranit

Bota

Italia thotë se do të jetë mikpritësja e bisedimeve të radhës mes SHBA dhe Iranit

Më: 15 prill 2025 Në ora: 00:39
Antonio Tajani

Rundi i ardhshëm i bisedimeve bërthamore midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit do të zhvillohet në Romë, konfirmoi ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.

Ky do të ishte takimi i dytë midis përfaqësuesve të SHBA-së dhe Iranit brenda tetë ditëve.

“Ne e morëm kërkesën nga palët e interesuara, nga Omani që po luan rolin e ndërmjetësit, dhe dhamë një përgjigje pozitive”, citohet të ketë thënë Tajani nga agjencia kryesore italiane e lajmeve, ANSA.

Komentet e diplomatit më të lartë italian sugjerojnë se edhe pse Italia do të jetë pritëse e rundit të dytë të bisedimeve më 19 prill, Omani do të vazhdojë të shërbejë si ndërmjetës në këto bisedime indirekte.

“Roma konfirmohet si një kryeqytet i paqes dhe ndërmjetësimit”, tha Tajani.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha negociatat që mund të çojnë në zgjidhjen e çështjes bërthamore, por edhe në ndërtimin e paqes”.

Në një zhvillim të papritur, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, dhe i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, u takuan shkurtimisht pas përfundimit të bisedimeve në Oman, duke shtuar optimizmin se marrëdhëniet midis dy vendeve kanë bërë një hap përpara.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat