SHBA armatos ishullin evropian që e dëshiron Vladimir Putin

Bota

SHBA armatos ishullin evropian që e dëshiron Vladimir Putin

Më: 28 maj 2025 Në ora: 19:44
Ilustrim

Dymbëdhjetë marinsa amerikanë zunë pozicione në një fushë në ishullin suedez Gotland, rreth 300 kilometra nga enklava ruse Kaliningrad dhe lansuan raketa nga një sistem mobil raketor.

Ndonëse raketat e përdorura ishin raketa false që ranë në Detin Baltik, mesazhi për Rusinë ishte i qartë - ndërsa presidenti Donald Trump zhyt NATO-n në një krizë historike duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e saj, ushtria amerikane megjithatë po rrit praninë e saj në Evropën veriore, raporton Wall Street Journal.

Administrata Trump dëshiron që NATO të bëhet "më vdekjeprurëse", dhe Evropa veriore është bërë terreni i saj i testimit, një rajon ku Aleanca përballet me Rusinë në dy fronte, raporton KosovaPress.

Ndërsa disa zyrtarë evropianë shprehin shqetësimin se angazhimi i SHBA-së ndaj aleancës transatlantike po dobësohet për shkak të kritikave dhe njoftimeve të Trump për reduktimin e angazhimit ushtarak jashtë vendit, komandantët ushtarakë amerikanë thonë se doktrina e tyre operacionale nuk ka ndryshuar.

"Nga këndvështrimi i ushtrisë amerikane, urdhrat e mia nuk kanë ndryshuar," tha gjeneral brigade Andrew Saslav, zëvendës shefi i shtabit për operacionet e Ushtrisë amerikane në Evropë dhe Afrikë.

"Sigurisht që po mendoj për çështjen e përfshirjes së ardhshme të SHBA-së, por e kam bërë këtë mjaft kohë që të mos rrëmbehem nga mesazhet politike që nuk janë urdhra zyrtare."

Gjatë stërvitjes ushtarake prej tri javësh, forcat amerikane dhe britanike u bashkuan me trupat nordike dhe baltike për të praktikuar skenarë të mundshëm lufte, duke përfshirë të shtënat me armë zjarri, dërgimin e gjakut me dron dhe kërcimet me parashutë mbi Rrethin Arktik në Norvegji.

Qëllimi i stërvitjes ishte frenimi i Rusisë nga agresioni dhe lidhja më e fortë e aleatëve në këtë cep strategjik të rëndësishëm të Evropës, duke përfshirë anëtarët e rinj të NATO-s, Finlandën dhe Suedinë.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, vendet nordike kanë rritur ndjeshëm shpenzimet e tyre të mbrojtjes. Finlanda ndan një kufi 1300 kilometra të gjatë me Rusinë. Norvegjia kufizohet me Gadishullin Kola të Rusisë, shtëpia e flotës kryesore të nëndetëseve ruse, Flota Veriore.

Për vite me radhë, Estonia, Letonia dhe Lituania kanë paralajmëruar për ambiciet ekspansioniste të Rusisë dhe kanë ofruar informacione të vlefshme për fqinjin e tyre lindor. Zyrtarët në rajon theksojnë se forcimi i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara nuk duhet të dëmtojë unitetin e Aleancës.

Gotland është një nga vendet më të rëndësishme strategjike në Evropën veriore, ku është e mundur të vendosen sensorë dhe sisteme me rreze të gjatë për kontrollin e hapësirës ajrore dhe detare në rajonin e Baltikut.

"Unë jam i sigurt se Putin i ka sytë nga Gotland. Qëllimi i Putin është të fitojë kontrollin e Detit Baltik," tha Micael Bydén, një ish-komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura Suedeze.

Stefan Lundqvist, përfaqësuesi i Suedisë në Qendrën Ted Stevens për Studimet e Sigurisë Arktike në Alaskë, theksoi se Gotland pothuajse me siguri do të jetë skena e veprimeve armiqësore në fazat e hershme të një konflikti të mundshëm.

Në rast lufte, ishulli do të shërbente si një qendër logjistike për NATO-n.

Për të praktikuar mbrojtjen e Gotland, një togë britanike e zbulimit kreu një operacion zbulimi javën e kaluar dhe disa ditë më vonë 110 parashutistë britanikë u hodhën nga një lartësi prej 300 metrash nga dy avionë transporti A400M dhe kaluan natën duke ecur nëpër pyll në zonën e synuar të uljes së avionit.

Ndërkohë, pak para mesnatës, një njësi e marinsave amerikanë mbërriti aty pranë me një sistem raketash të lëvizshëm, gati për vendosje të shpejtë në rast lufte. Ata kishin qenë në Norvegji vetëm disa orë më parë. Pas gjuajtjes së raketave, shtyllave të betonit, sistemi u transferua në Finlandë për një demonstrim të ngjashëm.

Sistemi M142 HIMARS ka ndikuar ndjeshëm në rrjedhën e luftës në Ukrainë që kur Shtetet e Bashkuara filluan ta dorëzonin atë në mesin e vitit 2022. Sistemi përdor raketa GMLRS me rreze veprimi rreth 70 kilometra dhe raketa me rreze të gjatë veprimi ATACMS, të cilat mund të arrijnë objektivat deri në 300 kilometra.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat