Japonia ka ngritur në ajër avionët luftarakë pasi dy aeroplanë të dyshuar rusë kanë hyrë në hapësirën e saj ajrore, duke nxitur reagimin e ashpër të Tokios zyrtare ndaj Moskës dhe duke shtuar tensionet mes dy vendeve.
Zëdhënësi kryesor i qeverisë japoneze, Minoru Kihara, bëri të ditur se dy aeroplanët hynë në hapësirën ajrore të Japonisë pranë ishullit Okinoshima, në jugperëndim të prefekturës Fukuoka, pak pas orës 04:00 të mëngjesit të së martës.
Sipas tij, avionët japonezë u ngritën menjëherë dhe u dhanë paralajmërime mjeteve ajrore ruse, të cilat qëndruan në hapësirën ajrore japoneze për rreth tre minuta secili, shkruan Euronews, transmeton "Bota sot".
“Hyrja e aeroplanëve rusë në hapësirën tonë ajrore nuk është vetëm shkelje e rëndë e sovranitetit të vendit tonë, por edhe kërcënim për sigurinë tonë dhe është plotësisht e papranueshme”, deklaroi Kihara.
Ai shtoi se Japonia i ka paraqitur Rusisë një protestë të ashpër përmes kanaleve diplomatike dhe ka kërkuar marrjen e masave për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të tilla.
Sipas autoriteteve japoneze, aeroplanët kaluan përmes ngushticës së Tsushimës, më pas fluturuan mes ishullit Yonaguni dhe Tajvanit, përpara se të vazhdonin drejt Oqeanit Paqësor.
Edhe Koreja e Jugut ngriti avionët luftarakë
Incidenti në Japoni ndodhi vetëm disa orë pasi edhe Koreja e Jugut njoftoi se kishte dislokuar avionë luftarakë dhe kishte zhvilluar manovra taktike, pas hyrjes së disa aeroplanëve ushtarakë rusë në zonën e saj të identifikimit të mbrojtjes ajrore.
Shtabi i Përbashkët i Ushtrisë së Koresë së Jugut bëri të ditur se një numër i pacaktuar aeroplanësh rusë hynë dhe më pas dolën nga kjo zonë mbi Detin Lindor, i njohur gjithashtu si Deti i Japonisë.
Megjithatë, autoritetet në Seul theksuan se aeroplanët rusë nuk e kishin shkelur hapësirën ajrore sovrane të Koresë së Jugut.
Zona e identifikimit të mbrojtjes ajrore nuk është pjesë e hapësirës ajrore sovrane të një shteti, por shërben si zonë sigurie ku identifikohen aeroplanët që afrohen drejt territorit të tij.
A do të takohen Takaichi dhe Putini?
Marrëdhëniet mes Japonisë dhe Rusisë janë të tensionuara prej dekadash, kryesisht për shkak të mosmarrëveshjes territoriale mbi një grup ishujsh në Oqeanin Paqësor.
Tensionet janë shtuar edhe më shumë gjatë javëve të fundit, pas arrestimit të një gazetari japonez në Rusi, nën dyshimet për spiunazh, si dhe marrjes nën kontroll nga Moska të aseteve të një kompanie japoneze të duhanit.
Japonia kishte paraqitur një protestë të ashpër edhe në vitin 2024, pasi një aeroplan patrullimi rus kishte hyrë tri herë në hapësirën e saj ajrore. Ky ishte rasti i parë i konfirmuar i këtij lloji që nga viti 2019.
Ndërkohë, kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, pritet të marrin pjesë këtë javë në një samit të vendeve të Azi-Paqësorit, në qytetin kinez Shenzhen.
Disa media japoneze raportuan se Tokio ka kërkuar një takim mes Takaichit dhe Putinit në kuadër të samitit APEC. Edhe Kremlini ka deklaruar se nuk e ka përjashtuar mundësinë e një takimi të tillë.
Në fillim të këtij muaji, Japonia kërkoi lirimin e menjëhershëm të aseteve të kompanisë Japan Tobacco në Rusi, të cilat u morën nën kontroll nga autoritetet ruse në kuadër të masave ndaj kompanive të huaja.
Ndërkaq, në tetor, shërbimi rus i sigurisë FSB arrestoi gazetarin japonez Yuki Imai, nga gazeta “Hokkaido Shimbun”, nën dyshimet për kryerjen e veprimtarive të spiunazhit në territorin rus.
Ministria e Jashtme ruse e ka akuzuar gjithashtu Tokion se përdor në mënyrë sistematike gazetarët për operacione spiunazhi brenda Rusisë. Japonia i ka mohuar këto akuza.