Gërxhaliu: Së pari të depolitizohet pandemia dhe pastaj të ndihmohet ekonomia

Ekonomi

Gërxhaliu: Së pari të depolitizohet pandemia dhe pastaj të ndihmohet ekonomia

Më: 6 prill 2021 Në ora: 11:09
Safet Gërxhaliu

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka thënë se pasojat e pandemisë në ekonomi do të jenë shumë të mëdha.

Ai propozon që pakot e reja të ndihmës për bizneset dhe qytetarët të shpërndahen në mënyrë më proporcionale, sepse dëm kanë pësuar thuajse të gjithë sektorët.

“Po vazhdon avazi i vjetër ku sektori privat dhe proceset ekonomike janë shndërruar në retorikë apo teori ditore, por në praktikë ndodh diçka tjetër. Duhet ta kemi një shtrirje horizontale dhe jo vertikale. Të mos jetë një qasje selektive, sepse të gjitha sektorët janë të prekura dhe goditura. Kur flitet për gastronomi mendohet në kafene dhe restorante, por paramendojeni sa ka pasë investime në hotele, motele dhe salla të dasmave dhe sa ka ra qarkullimi për përgatitjen dhe kompletimin e këtyre ahengjeve. Është një indeks zinxhiror ekonomik që ka reflektuar efekte negative. Dua të besoj që në kabinetin qeveritar ka ekspertë të fushës që do analizojnë, do të llogarisin dhe do të dalin me një propozim që sado pak do të jetë një mbështetje për sektorin privat”.

Gërxhaliu tha se rënia e dy qeverive dhe mbajtja e dy palë zgjedhjeve në një kohë shumë të shkurtë e kanë dërrmuar edhe më shumë ekonominë, prandaj rekomandon që politika të anashkalohet në këtë çështje.

“Hapi i parë duhet të jetë depolitizomi i pandemisë dhe mendimi ekonomik dhe racional në interes të biznesit dhe të qytetarëve”.

Ai ka thënë se masat që po merr Kosova për të frenuar përhapjen e virusit nuk duhet të bazohen në ato të vendeve të zhvilluara europiane.

“Qëndrueshmëria financiare e atyre shteteve nuk krahasohet me atë të Kosovës. Ata e mbulojnë 80 përqind të sektorit privat, 80 për qind të pagave të të punësuarve dhe këtë luks Kosova nuk e ka”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat