​Kërkohet zbatimi i Ligjit për rimëkëmbje dhe një pako e re nga Qeveria

Ekonomi

​Kërkohet zbatimi i Ligjit për rimëkëmbje dhe një pako e re nga Qeveria

Më: 11 prill 2021 Në ora: 12:02
Qeveria e Kosovës

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka po kërkon nga qeveria e re më në krye Albin Kurtin zbatimin e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike ose miratimin e një pako të re stimuluese financiare për bizneset dhe qytetarët e afektuar si pasojë e pandemisë Covid-19.

Në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, thonë se kjo ministri aktualisht është duke e analizuar situatën në lidhje me dëmin ekonomik të shkaktuar nga COVID-19 dhe ndërhyrjet e mundshme që kjo ministri mund të ndërmarrë për të zbutur ndikimin e pandemisë në ekonomi.

Drejtori Zeka thotë se ligji aktual që është në fuqi për rimëkëmbje ekonomike meqenëse ishte kundërshtuar nga partia tashmë në pushtet, tash sipas tij, janë krijuar rrethanat ideale që qeveria të bëj plotësim ndryshimin e ligjit aktual ose të nxjerr një pako të re që do t’i përfshinte edhe vërejtjet që Vetëvendosje i ka pasur para disa muajsh, derisa kanë qenë pjesë e opozitës në dhjetor.

Zeka shton se bizneset kanë nevojë për vazhdimin e mbështetjes nga ana e shtetit për aq kohë sa afektet e pandemisë vazhdojnë edhe më tutje.

Zeka: Ende nuk është parë zbatimi i ligjit nga ana e Qeverisë së re

“Sa i përket zbatimit të masave të cilat janë paraparë me Ligjin për rimëkëmbje ekonomike të aprovuar në dhjetor të vitit të kaluar, besoj që një pjesë e këtyre masave mund të vazhdojnë të zbatohen edhe pse nuk është që kemi parë ende ndonjë prezantim nga ana e Qeverisë së re lidhur me këtë çështje, të vazhdimit të zbatimit të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike. I njëjti megjithatë, ai ligj është në fuqi, por meqenëse

tash qeverinë e drejton një forcë politike e cila nuk ka votuar në favor të këtij ligji në dhjetor, me shqetësimin se ligji në fjalë nuk adreson në mënyrë të duhur të gjitha dëmet e shkaktuara nga pandemia Covid-19, atëherë janë ndoshta rrethanat ideale që qeveria e re ose të ndryshoj përmbajtjen e ligjit aktual ose të shtyjë përpara një ligj të ri, i cili pastaj do t’i përfshinte edhe vërejtjet që ata kanë pasur para disa muajsh derisa kanë qenë pjesë e opozitës. Në çfarëdo rrethana bizneset kanë nevojë për vazhdimin e mbështetjes nga ana e shtetit për aq kohë sa afektet e pandemisë vazhdojnë edhe më tutje, për aq kohë në shumë sektor kemi ende kufizim ekonomik, qoftë për shkak të orarit të punës dhe për aspekte të tjera që ndërlidhen me kërkesën në treg”, deklaron Zeka.

Eksperti i ekonomisë, Bardh Ahmeti sugjeron Qeverinë e re që të nxjerrë masa stimuluese mbështetëse për sektorin privat përkitazi me masat kufizuese.

Ahmeti: Sugjerimi im është që të nxjerrën masa stimuluese

“Qeveria e re ka para vetës një ligj për rimëkëmbjen ekonomike, funksionaliteti dhe zbatimi i të cilit nuk është i kënaqshëm, miliona euro të premtuara që derivojnë nga ky ligj nuk kanë arritur që të futen në sektorin privat dhe realisht të gjenerojnë në rimëkëmbjen ekonomike. Prandaj, Qeveria e re duhet të zgjedhë rrugën e plotësim ndryshimit të këtij ligji dhe nxjerrjen e mekanizmave të pakove stimuluese për ekonominë ose zbatimin në plotni të ligjit aktual i cili është. Sugjerimi im është që të nxjerren masa stimuluese përkitazi me masat kufizuese”, thotë Ahmeti.

Edhe profesori në Fakultetin Ekonomik, Nagip Skënderi po konsideron se ndërhyrja e shtetit është e domosdoshme për t’iu dalë në ndihmë bizneseve dhe qytetarëve me anë të një pakoje të tretë.

Skënderi: Pakoja e tretë duhet të jetë e domosdoshme për Qeverinë Kurti

“Konsideroj që pakoja e tretë, respektivisht pakoja për rimëkëmbje ekonomike do të duhej të jetë domosdoshmëri e qeverisë së re, sepse çdo qeveri ka objektivat e veta të caktuara, të cilat shprehen në konsistencë të zhvillimit ekonomiko-social, mirëpo edhe kur marrim parasysh që edhe vendet më të zhvilluara të botës janë duke bërë pako të tretë mbas kësaj situate të caktuar që pandemia i sjellë... Prandaj, mendoj që edhe qeveria e Kosovës ndoshta dhe besoj që do të aprovojë një ligj të rimëkëmbjes ekonomike kur dihet tash që pjesën dërmuese të legjislaturës e ka partia e cila ka fituar besimin e popullatës dhe shpresoj që nuk do të përsëritet e njëjta situatë sikurse vitin e kaluar kur ligji për rimëkëmbje ekonomike disa herë ka dështuar në parlamentin e Kosovës... Mendoj që nuk do të duhej të bëhet ose të lihet në dorë vetëm qeverisë, por të marrin pjesë të gjitha partitë tjera të cilat janë edhe në opozitë. Po ashtu të konsultohej edhe asociacionet e bizneseve, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda e Afarizmit... Oda Amerikane, Akademia e Shkencave dhe Fakulteti Ekonomik”, thotë Skënderi.

Ekspertët vlerësojnë se veprimi i parë që do të ndihmonte në rimëkëmbjen e ekonomisë, krahas pakos stimuluese financiare është edhe sigurimi i vaksinave për qytetarët e Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat