“Duhet të mësohemi me realitetin e ri”, eksperti tregon si mund të këndellet ekonomia

Ekonomi

“Duhet të mësohemi me realitetin e ri”, eksperti tregon si mund të këndellet ekonomia

Nga: G.B Më: 24 gusht 2021 Në ora: 16:41
Ilustrim

Gjendja me Covid vetëm sa po shkon duke u përkeqësuar.

Rritja e numrit të viktimave po vazhdon e po ashtu edhe atyre që po infektohen vazhdimisht me Covid dhe me variantin Delta.

Duke qenë kështu, është e pamshmangshme mosmarrja e masave anti-Covid.

Padyshim që me marrjen e masave do të ketë direkt në ekonominë e vendit, e cila vitin e kaluar kur Kosova, sikur e gjithë bota ishte në izolim total, u gjunjëzua totalisht.

Sipas ekspertëve, ajo ende nuk është këndellur që nga ajo periudhë, derisa ekziston frika për një tjetër krizë të thellë në ekonominë e vendit.

Image
Lekë Musa

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Lekë Musa, për gazetën “Bota sot” ka thënë se duhet mësuar me realitetin e ri, derisa është e vështirë të parashikohet se çfarë mund të ndodhë.

“E vështirë të parashikohet! Ajo çfarë duhet bërë është që të mësohemi me realitetin e ri. Pandemia është këtu për të qëndruar dhe të gjitha akterët publik dhe privat duhet të adaptohen në situatë të re”, ka vlerësuar ai.

Sipas Musës, për ata që janë vaksinuar do të ketë deri diku një dozë normaliteti, ndërsa ata që nuk vaksinohen paraqesin rrezik për veten dhe të tjerët.

“Kjo nënkupton se për atë shtresë të popullsisë e cila është vaksinuar të ketë deri diku një dozë normaliteti. Kjo do të nënkuptonte qasje në shërbime dhe në vende të punës pak a shumë me një normalitet. Ndërsa ata të cilët nuk janë vaksinuar duhet të ketë kufizime sepse përveç se paraqesin rrezik për vetë ata kanosin edhe tjerët”, është shprehur ai.

Ai ka shtuar se derisa mësohemi me realitetin, ekonomia do të gjallërohet më shpejtë dhe po ashtu të gjithë sektorët tjerë.

“Në anën tjetër nëse mësohemi të adaptohemi në këtë normalitet të ri, edhe ekonomia do të gjallërohet më shpejtë dhe mësohemi që të jetojmë në rrethana të reja. Kjo vlen për të gjithë sektorët pa përjashtim”, ka deklaruar Lekë Musa për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat