Kurti takon përfaqësuesit e BERZh-it, diskutojnë për strategjinë e re 5 vjeçare për Kosovën

Ekonomi

Kurti takon përfaqësuesit e BERZh-it, diskutojnë për strategjinë e re 5 vjeçare për Kosovën

Më: 23 shtator 2021 Në ora: 16:59
Foto nga takimi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, priti në takim delegacionin nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), me të cilët biseduan lidhur me projektet aktuale dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit për të ardhmen.

Në këtë takim ishin Pierre Heilbronn, zv. president i BERZh për Politika dhe Partneritet, Jens Lundsgaard, drejtor i bordit për Danimarkë, Lituani, Irlandë, dhe Kosovë, Oleg Levitin, zv. drejtor i Qeverisjes dhe Çështjeve Politike, si dhe Neil Taylor, udhëheqës rezident i zyrës së BERZh në Kosovë.

Kryeministri Kurti theksoi se BERZh mbetet një ndër partnerët kryesor zhvillimor, gjë që u dëshmua edhe me përgjigjen e shpejtë për reagim ndaj situatës me pandeminë COVID-19 përmes projektit emergjent të Infrastrukturës Vitale për Ndërmarrje Publike.

Kurti shtoi se mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë ka qenë kruciale në ballafaqimin tonë me pandeminë, si rezultat i të cilit, së bashku me masat e qeverisë kundër pandemisë dhe Pakon e Ringjalljes së Ekonomisë, presin një rritje dhe performancë pozitive ekonomike në muajt në vijim.

Gjatë bisedës, u vu theksi te bashkëpunimi potencial drejt digjitalizimit, ndërlidhjes së aftësimit profesional me tregun e punës, burimeve të ripërtëritshme dhe efiçiencës së energjisë. U diskutua edhe për strategjinë e re 5 vjeçare të BERZh-it për Kosovën. Vëmendje e theksuar iu kushtua edhe planit për zhvillimin e sektorit privat. Duke marrë parasysh ekspertizën e Bankës dhe stabilitetin e tanishëm institucional në vend, kryeministri Kurti theksoi se ky plan do të kontribuonte në përmbushjen e qëllimeve afatgjate të Qeverisë dhe të përshpejtojë ringjalljen ekonomike nga pandemia”, tha ai.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat