Vurja e doganës anti-damping në produktet e Serbisë, është plotësisht e drejtë sovrane e Republikës së Kosovës

Ekonomi

Vurja e doganës anti-damping në produktet e Serbisë, është plotësisht e drejtë sovrane e Republikës së Kosovës

Nga: Prof. Dr. Musa Limani Më: 14 tetor 2021 Në ora: 19:07
Musa Limani

Aktualisht në këtë kohë të pandemisë, Kosova gjendet në një situatë të rëndë shëndetësore dhe ekonomike e cila ka pasur efekte të mëdha negative në zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit tonë. Me këtë rast është ardhur deri te zvogëlimi i prodhimit vendor, janë larguar mbi 60 mijë punëtorë, të cilët janë shndërruar në problem social, ka ardhur deri te rritja e çmimeve, që kanë ndikuar në buxhetin familjar, duke e “zbrazur” xhepin dhe zvogëlimin e fuqisë blerëse të konsumatorit, rritjen e varfërisë, të problemeve sociale, e zvogëlimin e standardit jetësor të popullsisë, e kështu me rradhë. Andaj, para Qeverisë së Kosovës po paraqiten probleme mjaft komplekse politike, shoqërore dhe ekonomike. Së pari, janë problemet se cilat do të jenë masat më adekuate për të ndaluar dhe dal nga pandemia, e të cilat nuk do të kenë efekte të mëdha negative në zhvillimin ekonomik, së dyti, marrja e masave konkrete për rimëkëmbjen e ekonomisë. Unë me këtë rast nuk do të ndalem në elaborimin e kësaj situate, por do të përqendrohem në masat ekonomike që Qeveria aktuale, po i merrë në politikën e tregtisë së jashtme, përkatësisht në zbatimin e masave të reciprocitetit.

Siç dihet, vurja dhe zbatimi i masave dhe instrumenteve të politikës së zbatuar ekonomike, e në kuadër të saj edhe të politikës së tregtisë së jashtme, janë e drejtë e patjetërsueshme dhe kompetencë e sovranitetit shtetëror të çdo vendi të pavarur. Andaj, edhe Kosova, si shtet i pavarur dhe ndërkombëtarisht i pranueshëm, në mënyrë të pavarur do t’i caktojë dhe zbatojë masat dhe instrumentet e politikës së zbatuar ekonomike dhe të politikës së tregtisë jashtme, sipas interesit të bizneseve vendore, përkatësisht ekonomisë së vendit tonë.

Në kuadër të raporteve politike dhe ekonomike që mund të jenë, ndërmjet një vendi ndaj vendeve të tjera, si masë më adekuate dhe më e zakonshme për përgjigjen e problemeve të paraqitura në mes tyre, pa dyshim është reciprociteti. Reciprociteti në vete, përfshinë të gjitha masat politike dhe ekonomike që ndërmerr një vend ndaj vendit përkatës, duke i zbatuar masat e njëjta, si përgjigje për ndalimin e tyre. Kjo, njëherit paraqet dhe masë universale, që e zbatojnë të gjitha vendet në raste të caktuara. Andaj, zbatimi i kësaj mase, nuk mund të jetë përjashtim për Kosovën. Me fjalë të tjera, në rastin tonë konkret, masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, Kosova duhet t’i përgjigjet me të njëjtat masa, si në fushën politike ashtu dhe ekonomike, si kundër përgjigje ndaj saj.

Qeveria aktuale mirë ka filluar zbatimin e kësaj mase, duke filluar nga targat e makinave dhe mjeteve tjera transportuese, si dhe me vuarjen e doganës anti-damping për mallrat për ushqimin e kafshëve dhe të materialit ndërtimor (blloqeve) ndaj Serbisë. Reagimet ndaj këtyre masave ishin të menjëhershme nga ana e Serbisë. Me ketë rast unë do të përqendrohem vetëm tek pjesa e doganës anti-damping, si masë më e re e Kosovës në politikën e tregtisë së jashtme. Lidhur me këtë, drejtori i së ashtuquajturës “Zyra për Kosovën”, Petar Petkoviq, ka reaguar pasi Kosova vendosi masën anti-damping, për dy produktet e sipër cekura të Serbisë, duke thënë se kjo masë është në kundërshtim me dispozitat e Marrëveshjes së CEFTA-së. Në kontekst të kësaj, do t’ia shtroja ketë pyetje z. Petkoviq. Si nuk qenka kundër dispozitave të CEFTA-së dhe nuk po paraqitka problem dhe diskriminim vuarja e masave tarifore e jo tarifore dhe barrierave tjera dhe çmimi damping që me vite të tëra Serbia i zbaton në tregun e Kosovës, por vuarja dhe zbatimi i të njëjtave masave nga ana e Kosovës mallrave të Serbisë, qenka shkelje e dispozitave të CEFTAS-së dhe parimeve tregtare bilaterale?!! Z. Petkoviq, marrja e këtyre masave nga ana e Kosovës ndaj mallrave të Serbisë nuk është dëshirë, por imponim nga ana e Serbisë, që është plotësisht në pajtim me Marrëveshjen e CEFTA-së, sipas së cilës asnjë vend anëtarë i këtij asociacioni, ku bënë pjesë edhe Kosova, nuk mund t’i vejë kurrfarë përkufizimesh dhe barrierash vendeve tjera anëtare të saj, në qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve. Këto parime asnjë herë nuk i shkeli Kosova, por Serbia ishte ajo e cila që nga fillimi i kishte shkelur këto parime, duke penguar Kosovën me masa jo tarifore e barriera tjera që të plasojë mallin në tregun e Serbisë, bile pengonte edhe kalimin transit të tyre nëpër territorin e saj. Çka është edhe më e keqja, për këto veprime e masa të Serbisë asnjëherë nuk reaguan, apo më mirë me thanë nuk e ngriti zërin BE-ja, që ishte në kundërshtim me parimet e Marrëveshjes së CEFTA-së. Andaj, le ta dinë si Serbia ashtu dhe të gjithë të tjerët, se Kosova masa të reciprocitetit do të marrë për herë ndaj mallrave të Serbisë, si përgjigje dhe ndalimin e mos zbatimit të tyre nga ana e këtij vendi ndaj Kosovës. Në këtë kontekst duhet potencuar se, masat e reciprocitetit në vete, pos që paraqesin instrument shumë efikas që zgjidhin në mënyrë të ndërsjellët problemin e qarkullimit të mallrave, ato zgjidhin edhe të gjitha problemet politike kontestuese me Serbinë. Andaj, parimi i reciprocitetit nga ana e Kosovës, do të mbetet në fuqi dhe do të zbatohet në të gjitha fushat jetësore, deri sa të arrihet Marrëveshja Finale dhe gjithëpërfshirëse, në kuptimin e pranimit reciprok në bazë të kufijve ekzistues dhe pa kurrfarë kushtesh tjera ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Siç dihet, pas vendeve anëtare të BE-së, Serbia dominon me mallrat e saja në tregun e Kosovës. Ajo për të qenë konkurruese dhe për të pasur një lloj monopoli në tregun tonë të brendshëm, që me vite të tëra po zbaton çmime damping me mallrat e eksportuara në tregun e Kosovës. Siç dihet, dampingu paraqet formën më të shpeshtë në politikën e tregtisë së jashtme, për të krijuar konkurrencë jolojale në transaksionet ekonomike me diskriminim të çmimeve. Këtë formë të tregtisë së jashtme Serbia është duke e zbatuar me vite të tërë ndaj Kosovës. Kështu, Serbia subvencionon mallrat që eksportohen në tregun e Kosovës dhe në këtë mënyrë iu mundëson që ato të shiten më lirë se çmimi kushtues, si dhe nën çmimin e tyre në tregun e Kosovës dhe janë konkurrente ndaj prodhimeve vendore. Është për të konstatuar se, produktet nga Serbia në tregun e Kosovës shiten me çmime më të lira të shumë produkteve të konsumit të gjerë. Andaj, marrë parimisht konsumatorit nuk i intereson prejardhja gjeografike e mallrave, atij i intereson çmimi dhe me kushte tjera të njëjta, ai blen produktin që është më lirë. Kjo, është psikologjia e konsumatorit gjithëkund në botë, andaj edhe në Kosovë. Mirëpo, për shkak të hegjemonizmit dhe shovinizmit, e mbi të gjitha armikut e uzurpatorit shekullor dhe gjenocidit që ka bërë Serbia në të kaluarën dhe tani në luftën e fundit në Kosovë, konsumatori shqiptarë duhet të ngritë vetëdijen e tij kombëtare mbi egon e tij dhe të familjes dhe të bojkotojë prodhimet me prejardhje gjeografike nga Serbia. Kjo vlen edhe për importuesit që marrin mallra na ky vend. Andaj, duke u mbështetur në atë çka ka bërë Serbia në vitet 1999, po edhe nëse jepen falas produktet nga Serbia, importuesit, veçmas konsumatorët duhet t’i bojkotojë dhe mos t’i blejnë ato. Tani shtrohet pyetja se nga të sigurohen mallrat që i nevojiten tregut të Kosovës, nëse nuk importohen nga Serbia? Po, kjo është një problem, por nuk është i pa zgjidhur. Importuesit nga Kosova duhet të hulumtojnë dhe të gjejnë tregje në vendet tjera. Kjo është e mundur dhe nuk paraqet ndonjë problem në vete. Bile mund të gjenden këto mallra edhe me kushte më të volitshme në tregjet e Turqisë, Greqisë, Shqipërisë, Kroacisë e vendeve të BE-së etj. Andaj, unë konsiderojë se masa kryesore ndëshkuese për sjelljet politike dhe ekonomike që bënë Serbia ndaj Kosovës, pos masave institucionale, bojkotimi ndaj mallrave të Serbisë nga ana e konsumatorit, paraqet masën më të fortë dhe më efikase dhe pa kurrfarë problemi e efekte anësore politike, për të cilën nuk mund të ndërhyjë as faktori ndërkombëtar e as të reagojë Serbia, siç e ka zakon.

Si rrjedhim, një vend zbaton damping në transaksionet ekonomike (tregtinë e jashtme) për qëllime të ndryshme, por kryesisht bëhet për përvetësimin e tregjeve në vendet tjera dhe në këtë mënyrë krijon konkurrencë jolojale dhe “shtrydhë”, dhe i konkurron prodhuesit vendor. Marrë në tërësi, me damping një vend tenton që me çdo kusht të vihet deri te devizat për të mbuluar importin e nevojshëm, apo të lirohet nga rezervat e prodhimeve (mallrave) vendore. Në rastin tonë konkret, Serbia zbaton dampingun për të përvetësuar tregun e Kosovës, si dhe për të siguruar deviza (euro), në një anë, dhe për t’i konkurruar prodhuesit vendor, me ç’rast të dëmtojë dukshëm zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Andaj, për t’u mbrojtur nga kjo masë në politikën e tregtisë së jashtme me efekte negative për ekonominë e Kosovës, si çdo vend tjetër, ashtu dhe Kosova, duhet të luftojë me masa që nga aspekti profesional ekonomik quhen anti-damping. Andaj, masa e doganës anti-damping, është plotësisht ekonomike dhe e drejtë e sovranitetit të Republikës së Kosovës, për të neutralizuar veprimin damping të Serbisë në tregtinë e Kosovës. Me këtë mënyrë Kosova pengon depërtimin e mallrave me çmime më të ulëta se çmimet në tregun vendor, përkatësisht lufton formimin e konkurrencës jolojale në tregon tonë të brendshëm. Ja pra kjo është arsyeja e vuarjes së doganës anti-damping të Kosovës tani vetëm në dy prodhime: ushqimit të kafshëve dhe materialit ndërtimor (blloqeve), e cila masë duhet të vihet, jo vetëm në këto dy mallra, por në të gjitha mallrat me prejardhje nga Serbia, që konstatohet se janë me çmime damping.

Andaj, anti-dampingu i vuar nga ana e Kosovës, paraqet doganë shtesë nga norma e rregullt doganore, për të penguar importimin e mallrave nga Serbia me çmime damping, përkatësisht me çmime veçanërisht të ulëta, nga çmimi kushtues. Pra, vuarja e masës doganore anti-damping nga ana e Kosovës, hynë në kuadër të masave të reciprocitetit në politikën e tregtisë së jashtme, si dhe është e drejtë ekskluzive dhe kompetencë e sovranitetit të Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur dhe ndërkombëtarisht i pranueshëm. Prandaj, për masat e politikës së zbatuar ekonomike, si dhe masave të nënsistemeve të saja, si: masat dhe instrumentet e politikës fiskale, politikës kreditore dhe të politikës së tregtisë së jashtme, Kosova nuk ka nevojë të pyes e as të konsultojë askënd, por vendos sipas interesave të saja ekonomike dhe politike. Kështu, nga aspekti makroekonomik, veçmas duke pasur parasysh rëndësinë, rolin, funksionin dhe efektet e masës së reciprocitetit dhe konkretisht masës doganore anti-damping, mendojë se vuarja e kësaj takse për mallrat me prejardhje nga Serbia, jo që është me vend dhe i arsyeshëm, por paksa edhe i vonuar, do të ketë efekte pozitive ekonomike dhe politike.

S’ka dyshim se, Kosova në bazë të sovranitetit të saj si shtet i pavarur, përherë do të caktojë dhe zbatojë masa dhe instrumente të politikës së tregtisë së jashtme, ashtu siç është interesi i bizneseve vendore, përkatësisht interesi i ekonomisë së vendit tonë në tërësi. Andaj, për fund mund të thuhet se, nga aspekti ekonomik reciprociteti dhe konkretisht masa doganore anti-damping, si dhe vuarja e të gjitha masave tarifore dhe jo tarifore, të cilat Serbia, apo cilido vend tjetër, i merrë ndaj Kosovës, të njëjtat do t’i merrë edhe Kosova ndaj tyre. Pra, reciprociteti në ekonomi nuk ka të bëjë me sasi, por me marrje të masave të ndërsjellta gjegjëse ndaj vendit tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat