Pandemia solli shtrenjtim të produkteve ushqimore në Kosovë

Ekonomi

Pandemia solli shtrenjtim të produkteve ushqimore në Kosovë

Më: 25 nëntor 2021 Në ora: 07:48
Foto ilustrim

Pandemia në vend solli shtrenjtim të  produkteve ushqimore, e rrjedhimisht mendohej se do të shtrenjtohen edhe barnat, mirëpo, farmacistët deklarojnë se barnat megjithatë, nuk kanë pësuar ngritje çmimesh.

Farmacisti Shkumbin Jusufi tha për Radio Kosovën se nuk vërehet ngritje çmimesh që vlen të theksohet, sikurse po ndodh në produkte të tjera.

 ‘’Kohët e fundit çfarë kemi parë që në shumë produkte ka ngritje të çmimeve e te barnat nuk ka ngritje. Pra, nuk kemi vërejtur ndonjë ndryshim që ia vlen të theksohet’’, tha Jusufi.

Kosova nuk ka ligj që rregullon unifikimin e  çmimit të barnave. Andaj çmimet nga barnatorja në barnatore variojnë sipas dëshirës së farmacistëve. Qytetarët e Kosovës ka kohë që paguajnë 10 milionë euro në vit barna më shtrenjtë sesa qytetarët e vendeve të rajonit.

Sidoqoftë, farmacisti Jusufi thotë se është punuar në këtë ligj, dhe pritet që vitin tjetër të jetësohet.

" Është punuar në ligjin për unifikimin e barnave dhe sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë e që ne bashkëpunojmë me ta, është punuar dhe është proceduar si ligj dhe besoj se vitin e ardhshëm do të jetësohet’’, tha ai.

Në Kosovë janë rreth 1,200 farmacistë të licencuar dhe 650 barnatore. Aktualisht, 10 për qind prej farmacistëve të licencuar e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në institucionet publike, ndërsa pjesa tjetër në institucione private.

Ndërkaq,  nga Ministria e Shëndetësisë thonë se projektligji për Rregullimin e Çmimit të Produkteve medicinave është në proces të finalizimit nga zyrtari përgjegjës.

Faik Hoti nga kjo ministri tha se ‘’tashmë është caktuar zyrtari përgjegjës për të udhëhequr grupin punues që do të bëjë plotësim-ndryshimin e udhëzimit administrativ për rregullimin e çmimit të barnave dhe pajisjeve medicinale, me qëllim që ky udhëzim të bëhet në tërësi i zbatueshëm dhe në këtë proces do të punohet bashkë me Odën e Farmacistëve dhe shoqatat që veprojnë në kuadër të komunitetit farmaceutik në Kosovë”, kanë thënë ata përmes postës elektronike.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka qenë ajo që ka ofruar ndihmë në zhvillimin e politikave për sa i përket udhëzimit që unifikon çmimet e barnave, në mënyrë që të reduktohen shpenzimet e pacientëve për blerjen e barnave. Ka dy dekada që kur vlerësohet se barnat nëpër barnatoret e Kosovës, nuk i kanë çmimet e unifikuara. Kjo, sipas zyrtarëve, ka ndodhur për shkak se në fuqi ka qenë një rregullore administrative, e cila nuk e ka parashikuar edhe çështjen e unifikimit të çmimeve

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat