​Instituti Profesional-ATC me shtatë programe profesionale në Kosovë

Ekonomi

​Instituti Profesional-ATC me shtatë programe profesionale në Kosovë

Më: 5 dhjetor 2021 Në ora: 11:01
Altin Zefi

Të rinj e të reja për katër ditë radhazi kanë gatuar ushqime të ndryshme për vizitorë nga shumë vende të botës. Në ambientet e Pallatit të Kongreseve, studentë që po ndjekin kursin në Institutin Profesional-ATC, kanë qëndruar pranë stendës së tyre, duke gatuar ushqime mesdhetare, italiane, franceze dhe nga kuzhina tradicionale shqiptare.

Në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, vizitorë të shumtë janë informuar edhe për programet aktuale dhe të rejat që planifikohen për Shqipëri dhe Kosovë.

Drejtori i Institutit Profesional-ATC, Altin Zefi thekson se aktualisht me mijëra të rinj po ndjekin studimet në gjitha drejtimet që ofrojnë.

Zefi: Kjo është hera e tretë që marrim pjesë në këtë panair

“Për ATC-në është hera e tretë që marrim pjesë, sigurisht ATC merr pjesë edhe në panaire tjera që organizohen në Tiranë. Jo vetëm në Tiranë, edhe në qytete tjera të Shqipërisë. Madje edhe në aktivitete të tjera që janë mbajtur në Kosovë dhe në vendet tjera të rajonit. Instituti Profesional-ATC ka disa vite që operon në treg në Shqipëri, më saktë që prej vitit 2014 kemi filluar zhvillimin e kurseve profesionale, ne gjithsejt kemi 11 drejtime, zanate të ndryshme që janë studime një-vjeçare. Dhe kemi disa drejtime të tjera të cilat janë afatshkurte dhe janë tre-mujore kryesisht për kurse që kanë të bëjnë më gastronominë, por jo vetëm”, thekson ai.

Instituti Profesional-ATC është ndër qendrat më të mëdha në Shqipëri, qoftë nga numri i programeve dhe numri i studentëve.

Tashmë në Kosovë janë licencuar shtatë programe të këtij instituti, i cili ka për mision të aftësojë të rinjtë për tregun e punës.

Zefi: Në Kosovë janë licencuar shtatë programe

“Ne kemi pasur kërkesa të mëdha nga Kosova, të rinj nga Kosova që donin t’i ndiqnin këto kurse dhe herë pas here të pyesnin që ka qendër në Prishtinë apo qytete tjera të Kosovës. Pas një studimi të tregut që ne bëmë, pamë që Kosova nuk kishte një qendër të ngjashme, aq më tepër të akredituar jo. Madje, me informacionet që morëm në shumë institucione nuk kishte as programe të gatshme që mund të aplikonim. Ja arritëm që para dy vitesh ne kemi marrë licencat dhe akreditimet e para për shtatë programe profesionale, ku tani është viti i dytë që ne zhvillojmë kurse profesionale në Kosovë”, shton ai.

Instituti Profesional-ATC ka 11 programe studimi një-vjeçare dhe 10 programe tremujore.

Ditën e djeshme është mbyllur panairi katër ditor ndërkombëtar i Tiranës, i organizuar nga Klik Ekspo Group. Për të parën herë, kanë marrë pjesë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat