Kur pandemia e shndërron pasionin në biznes

Ekonomi

Kur pandemia e shndërron pasionin në biznes

Më: 26 dhjetor 2021 Në ora: 12:14
Eglantina duke punuar...

Pasionin e saj për punë dore, Eglantina Nikqi e shndërroi në biznes fitimprurës gjatë pandemisë COVID-19.

“Në kohën kur u mbyllëm [si pasojë e masave kufizuese ndaj pandemisë], kisha kohë të lirë për t’u marrë me shumë gjëra. Kam pasur prirje për punë dore, por nuk kam pasur kohë të merrem, ta zhvilloj pasionin”, thotë Eglantina për Radion Evropa e Lirë.

Punëtorinë e saj të vogël, ajo e improvizoi në banesën ku jeton në Prishtinë.

Image
Eglantina Nikqi

Pandemia COVID-19 shpërtheu në mars të vitit 2020, duke imponuar kufizime në lëvizje dhe mbyllje shërbimesh.

Kompania private, ku Eglantina punonte si kontabiliste, ndërpreu punën përkohësisht dhe ajo nuk dëshironte të mbetej pa ndonjë angazhim.

“Për diçka për të cilën jeni të pasionuar, mund të gjenden mënyra për të fituar para gjatë këtyre kohërave të vështira”, thotë ajo.

Kufizimet që solli pandemia mbyllën afro 3,000 biznese në Kosovë. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë vitit 2021, rreth 3,300 punëtorë mbetën pa punë.

Por, shoqatat ekonomike thonë se numri i atyre që humbën punën gjatë pandemisë, është më i lartë.

Sipas të dhënave të Aleancës Kosovare të Biznesit, mbi 50,000 qytetarë humbën vendin e punës dhe rreth 20,000 biznese të sektorëve të ndryshëm falimentuan.

Me duart e saj, 38-vjeçarja krijon aksesorë, veshmbathje, stoli e gjëra të tjera.

Ato më pas i nxjerr online, ku edhe i bëhen porositë.

Image
Varëse të punuara nga Eglantina

Eglantina thotë se nisi biznesin edhe nga frika për pasiguri financiare në të ardhmen.

“Rrjeteve sociale, ku fillova t’i shes produktet e mia, u bëra reklamë. Në fillim punoja fjongo për flokë dhe maska për t’u mbrojtur nga koronavirusi. Filluan edhe porositë e para dhe kështu vazhdon edhe tani”, thotë ajo.

Disa muaj pas ndërprerjes, Eglantina rinisi punën e rregullt si kontabiliste, por nuk e la anash as biznesin, të cilit i përkushtohet pasditeve ose mbrëmjeve.

Në muajin dhjetor, ajo u bë pjesë e panairit “Gratë në biznes”, i organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës. Në këtë ngjarje, Eglantina ekspozoi produktet që i bëri gjatë pothuajse dy vjetëve pandemi.

“Edhe në panair kishte interesim për produktet e mia. Më shumë nga ndërkombëtarët; ata i vlerësojnë më shumë produktet që punohen me dorë. Neve në Kosovë na duken shtrenjtë. Sigurisht që janë më shtrenjtë se është më vështirë të punohen”, thotë Eglantina.

Produktet e saj kushtojnë nga 2 euro deri në 60 euro.

Image
Dekor i punuar nga Eglantina

Eglantina synon që një ditë ta rrisë biznesin e saj dhe të punësojë gra që mund të punojnë gjëra të ndryshme, e që mund t’i eksportojnë më pas në vende të tjera.

“Jam në kërkim të granteve, që do të më mundësonin ta zgjeroj biznesin tim”, thotë Eglantina.

Sipas statistikave zyrtare, vetëm 14 për qind e grave në Kosovë janë të punësuara, ndërsa rreth 9 për qind e bizneseve në vend janë në pronësi të grave.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat