Bizneset kërkojnë luftimin e ekonomisë joformale, Murati: S’ka shtet pa taksa

Ekonomi

Bizneset kërkojnë luftimin e ekonomisë joformale, Murati: S’ka shtet pa taksa

Më: 19 janar 2022 Në ora: 16:35
Hekuran Murati

Rreth 8 miliardë euro janë inkasuar të hyra tatimore dhe kontribute pensionale për 22 vjet nga Administrata Tatimore e Kosovës. Në vitin 2021, ATK-ja ka shënuar rekord në mbledhjen e tatimeve, rreth 600 milionë euro tatime dhe mbi 200 milionë euro kontribute pensionale.

Kështu tha sot drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj me rastin e shënimit të 22-vjetorit të themelimit të këtij institucioni. Derisa ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati me këtë rast theksoi se nuk mund të imagjinohet një shtet pa tatime dhe pa taksa.

Murati tha se nga 5 milionë euro kur kishte mbledhur në vitin e parë të themelimit, ATK është shndërruar në kontribuuesin kryesor për të hyrat buxhetore.

Ministri i Financave më tej ka thënë se faza tjetër e këtij institucioni duhet të jetë digjitalizimi i plotë për ta bërë më të lehtë punën me tatimpaguesit.

Murati: Është e paimagjinueshme që të ketë një shtet pa tatime dhe pa taksa

“Shteti si koncept është një kontratë shoqërore ku të gjithë bëhen bashkë edhe merren vesh të kontribuojnë përmes tatimeve në mënyrë që disa shërbime të përbashkëta të cilat e bëjnë jetën më të lehtë për qytetarët për t’i paguar tatimet dhe për t’i mbuluar ato kosto. Prandaj, është e paimagjinueshme që të ketë një shtet pa tatime dhe pa taksa, dhe pa administratë tatimore në këtë rast. Të hyrat nga ATK-ja janë tepër të rëndësishme dhe përveçse janë të rëndësishme për shtetin, janë të nevojshme edhe për ta ruajtur barazinë dhe për ta ruajtur edhe produktivitetin e ekonomisë”, theksoi Murati.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj duke treguar për arritjen e objektivave, tha se viteve të fundit ky institucion ka krijuar shërbime moderne dhe digjitale për tatimpaguesit.

Murtezaj: Rreth 8 miliardë euro të hyra tatimore dhe kontribute pensionale për 22 vjet

“Si rezultat i punës profesionale, me integritet dhe ndershmëri, Administrata Tatimore e Kosovës për këto 22 vjet ka mbledhur 5 miliardë e 771 milionë euro tatime dhe 2 miliardë e 215 milionë euro kontribute pensionale. Gjithsej mbledhja e të hyrave është 7 miliardë e 986 milionë euro apo rreth 8 miliardë euro... Ajo që patjetër duhet të potencohet në këtë rast është bashkëpunimi me tatimpaguesit. Dihet se asnjë person në asnjë vend të botës nuk ka dëshirë të paguajë tatime dhe nuk është një gjë e këndshme, mirëpo sot në Kosovë rreth 90 përqind e tatimeve janë deklarime vullnetare, gjë e cila dëshmon se ne kemi arritur t’iu ofrojmë tatimpaguesve shërbime sa më cilësore”, theksoi Murtezaj.

Në emër të komunitetit të bizneseve, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka theksoi se të hyrat e këtij institucioni mundësojnë për shërbime më të mira nga shteti për qytetarët dhe bizneset.

Derisa Zeka tha se ATK ka krijuar qasje moderne për bizneset, ka thënë se përveç ATK-së dhe qeverisë, është obligim edhe i bizneseve dhe i qytetarëve që të kontribuojnë në luftimin e ekonomisë joformale.

Përveç kësaj, kreu i kësaj Ode ka kërkuar të ketë më pak ndëshkime nga ATK, por më shumë edukim për bizneset.

Zeka: Ta luftojmë bashkërisht ekonominë joformale

“Derisa në momentet si këto ka fjalë më të mira, besoj që ia vlen të përmendim edhe atë që duhet të bëhet në muajt dhe në vitet në vijim. Besoj që njëra prej plagëve më të mëdha që rëndon në shoqërinë tonë kosovare, është ekonomia joformale. Prandaj, është obligim i të gjithë neve, jo vetëm i ATK-së dhe Ministrisë së Financave, por edhe i vet bizneseve dhe qytetarëve të këtij vendi që bashkërisht të luftojmë ekonominë joformale, dhe të krijojmë një mjedis të barabartë për të tatimpaguesit e rregullt, që të ndihen të barabartë dhe jo të diskriminuar… Derisa kjo natyrisht që kërkon një qasje më rigoroze, unë do të doja më pak ndëshkime nga ana e inspektorëve tatimorë dhe shumë më tepër edukim”, u shpreh Zeka.

Ndërsa, zyrtari ndërlidhës i ambasadës britanike, Simon Ëodcok, u shpreh më këtë rast se shteti i tij do të vazhdojë të mbështesë Kosovën dhe institucionet e saj, derisa beson se një administratë e fortë është shtylla e ekonomisë së një vendi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat