Kush do të paguajë më shumë për rrymë?

Ekonomi

Kush do të paguajë më shumë për rrymë?

Më: 19 janar 2022 Në ora: 19:18
Termocentralet në Obiliq. Fotografi nga arkivi.

Konfuzion dhe kritika ka shkaktuar propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë, për ngritje të tarifave të energjisë së shpenzuar elektrike.

Qytetarë të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë në Prishtinë nuk e dinë saktë se sa do të jetë rritja për ta, por thonë se, edhe ashtu, paguajnë fatura të larta për rrymën.

Halim Haxholli, pensionist nga Prishtina, thotë se ka paguar 109 euro për faturën e fundit.

“E papërballueshme, o vëlla. Këtë rritje s’mund ta përballojë askush, pa marrë parasysh se çfarë gjendjeje ka”, thotë Haxholli.

Të njëjtin mendim e ka edhe Faik Tenezhdolli, i cili për faturën e fundit ka paguar rreth 120 euro.

“Asnjë parametër nuk është në favor të shtrenjtimit të energjisë elektrike. Ky popull është i shtrydhur në të gjitha anët. Japin premtime se deri në prill nuk ka shtrenjtim dhe nëse e bëjnë këtë me bllok-tarifa, atëherë vetëm e dhunojnë këtë popull”, thotë Tenezhdolli.

Në bazë të pagesave, si Haxholli, ashtu edhe Tenezhdolli pritet të jenë në kategorinë e qytetarëve që ZRRE-ja ka propozuar t’iu rritet çmimi i energjisë elektrike.

Kush do të paguajë më shumë?

Për ta shpjeguar më thjesht se çfarë nënkupton propozimi për rritje të çmimit të rrymës, ZRRE-ja i ka ndarë konsumatorët në pesë kategori: A, B, C, D, E.

Nëse jeni në kategorinë A, pra nëse gjatë një muaji shpenzoni 300 kilovatë orë energji elektrike, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 18.87 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 20.40 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 18.87 euro.

Nëse jeni në kategorinë B, apo gjatë një muaji shpenzoni 450 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 27.37 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 29.66 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 27.37 euro.

Nëse jeni në kategorinë C, që do të thotë se për një muaj shpenzoni 600 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 35.86 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 38.92 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj mbetet e njëjtë: 35.86 euro.

Nëse jeni në kategorinë D, pra nëse gjatë muajit shpenzoni 800 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 47.19 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 74.17 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 59.50 euro.

Nëse jeni në kategorinë E, që do të thotë se gjatë muajit shpenzoni 1000 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 58.52 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 109.42 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 83.14 euro.

Siç shpjegohet në Raportin Konsultativ të ZRRE-së për Shqyrtimin e Jashtëzakonshëm të Tarifave të Energjisë Elektrike, rritja prek vetëm dy kategori të amvisërive, D dhe E, përkatësisht ata qytetarë që shpenzojnë mbi 800, përkatësisht mbi 1000 kilovatë.

Për kategorinë D, që shpenzon 800 kilovatë orë energji elektrike në muaj, fatura pritet të rritet për 12 euro e 31 centë.

Për qytetarët në kategorinë E, që shpenzojnë 1000 kilovatë orë energji elektrike në muaj, fatura pritet të rritet për 24 euro e 62 centë.

Që rritja e faturave të energjisë elektrike të mos jetë aq e lartë dhe të mos bëhet e papërballueshme për një kategori të qytetarëve, Qeveria e Kosovës ka ndarë një shumë prej 75 milionë eurosh në formë subvencionimi.

Këto subvencione vlejnë edhe për bizneset, të cilat - edhe pas propozimit të ZRRE-së nëse miratohet - nuk do të kenë rritje të tarifave të energjisë elektrike.

Qeveria e Kosovës ka thënë se rritja e faturave për bizneset do të kishte ndikim negativ në ekonomi.

“Ngritja e tarifave nuk i ka prekur bizneset. Në këtë mënyrë do të kufizohet ndikimi në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve që ofrohen në ekonominë tonë”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.

Subvencionet e Qeverisë do të shfrytëzohen për një periudhë njëvjeçare.

Faturat me rritje, në rast se propozimi i ZRRE-së kalon, do të fillojnë nga data 1 shkurt, 2022, dhe shqyrtimi i rregullt i tyre pritet të bëhet në muajin mars të vitit 2023.

Në cilën fazë është propozimi i ZRRE-së?

ZRRE-ja ka dalë me propozimin për rritje të faturave më 17 janar, pasi çmimet e energjisë elektrike janë rritur edhe në tregjet evropiane, duke i ndikuar kështu edhe çmimet e importeve të Kosovës.

ZRRE-ja po ashtu ka thënë se gjatë vitit 2021 është shënuar rritje e ndjeshme e kërkesës për energji elektrike - gjë që ka cenuar sigurinë e furnizimit dhe, javë më parë, ka çuar në reduktime.

Propozimi i ZRRE-së aktualisht është në konsultim publik.

ZRRE-ja i ka ftuar të gjitha palët, përfshirë edhe qytetarët, që të dërgojnë komente, korrigjime apo kundër-argumente.

Faza e konsultimit publik do të përfundojë më 28 janar, 2022, në orën 18:00.

Pastaj mbetet që ZRRE-ja ta harmonizojë propozimin e saj me komentet e pranuara dhe ta nxjerrë vendimin final.

Në rast se propozimi miratohet ashtu siç është, fatura e muajit shkurt do t’iu shkojë konsumatorëve me rritje.

Image
Tarifat e propozuara nga ZRRE-ja.

Syla: Bizneset nuk do të duhej të përjashtoheshin

Njohësi i fushës së energjisë në Kosovë, Lulzim Syla, thotë se vendosja e bllok- tarifave nga ana e ZRRE-së mund të ketë ndikim pozitiv në tejkalimin e krizës energjetike, duke mos lejuar që të vihet në rrezik siguria e furnizimit.

Por, Syla mendon se rritja e propozuar do të duhej t’i përfshinte edhe bizneset, e jo vetëm konsumatorët shtëpiakë.

“Ndoshta do të duhej të kishte një diskutim të hapur edhe me biznese, që një pjesë e barrës së kësaj kostoje të zhvendoset në një ngritje të vogël të çmimit të energjisë edhe te bizneset, për shkak se pavarësisht gjendjes ekonomike që e kemi, energjia elektrike është e lirë edhe te bizneset. Një ngritje sado e vogël te bizneset do ta baraspeshonte peshën e ngarkesës financiare për qytetarët”, thotë Syla.

Ai po ashtu thotë se procesi i propozimit të shtrenjtimit të energjisë elektrike nga ZRRE-ja kërkon më shumë qartësime dhe informacione.

Sipas tij, ZRRE-ja dhe Qeveria e Kosovës do të duhej të ishin më të qarta, pasi çdo rritje, sado e vogël, ka ndikim te qytetarët.

“Bllok-tarifat janë një mekanizëm i mirë në situata të tilla, në të cilat është Kosova, por jo domosdoshërisht ato [duhet] të jenë 100 për qind më të larta si çmim fundor... Por, duhet të shihet se cili do të jetë ndikimi konkret i këtyre 75 milionë eurove që i ka propozuar Qeveria për mbështetje të një grupi të caktuar të këtyre konsumatorëve, që i prek bllok-tarifa e re. Do të thotë, ende kemi nevojë për sqarime shtesë, si nga ZRRE-ja, ashtu edhe nga Qeveria e Kosovës”, thotë Syla.

Bllok-tarifat kanë qenë pjesë e strukturës tarifore të energjisë elektrike në Kosovë edhe nga viti 2006 deri në vitin 2017.

Sipas atyre, kur një ekonomi familjare ka shpenzuar më shumë se 600 kilovatë rrymë në muaj, çmimi për të ka qenë më i lartë në krahasim me familjet që kanë shpenzuar nën 600 dhe 300 kilovatë në muaj.

ZRRE-ja i ka hequr ato rreth pesë vjet më parë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat