Haxhiu e Beqa debatojnë për Ligjin për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar

Ekonomi

Haxhiu e Beqa debatojnë për Ligjin për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar

Më: 2 shkurt 2022 Në ora: 11:22
Komisioni për Buxhet

(E plotësuar 12:22) - ​Kryetari i Bordit të RTK-së: Shkurtimi i buxhetit bëri që të mos planifikohet shlyerja e të gjitha borxheve të vjetra

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere theksoi se për shkak të shkurtimit të buxhetit për transmetuesin publik në vlerë mbi 2 milionë euro nuk është planifikuar shlyerja e të gjitha borxheve të vjetra në këtë medium.

Megjithëse, kryetari Boletini paralajmëroi se borxhet e shkaktuara në RTK në mënyrë abuzive me produksionet e jashtme do t’i adresojnë në institucionet e drejtësisë.

“Marrëveshjet në tavolinë, pa konkurs për produksione të jashtme kanë shkaktuar rritje të borxheve në mënyrë abuzive. Konsiderojmë se ka pasur keqpërdorime në këtë aspekt”, tha ai.

Prandaj, Boletini tha se të gjitha marrëveshjet me produksionet e jashtme do të bëhen me konkurs.

Nënkryetari i Komisionit, Mërgim Lushtaku tha se është shqetësuese mospërfshirja e shlyerjes së borxheve nga RTK-ja.

Sipas tij, mospërfshirja e borxheve, mund të krijojë pasoja për RTK-në nga procesi përmbarimor.

Borxhi aktual i papërfshirë në projeksionin e Buxhetit për vitin 2022 në RTK është rreth 1.6 milionë euro.

Sa i përket numrit të madh të redaktorëve në RTK, Boletini ka përmendur edhe numrin e redaktorëve dhe gazetarëve në Radio Kosova, ku sipas tij, në këtë radio janë të punësuar 40 redaktorë e 39 gazetarë, ose siç tha ai, numri i përgjithshëm i redaktorëve në RTK arrin në 120, ndërkaq i gazetarëve rreth 100.

Drejtues të RTK-së u deklaruan edhe për rastin e kontratës me kompaninë “Pastimi” pa shkronjën “R”, dhe dëmin e shkaktuar në vlerë prej 472 mijë euro. Sipas tyre për këtë rast ka përfunduar procesi gjyqësor, dhe gjykata ka vendosur që t’i kthehen mjetet RTK-së.

Basha tregon se kush duhet të frikësohet nga Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka thënë se personat që e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duhet që të frikësohen nga Ligji për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar.

Ai tha se njerëzit e ndershëm nuk kanë arsye që të frikësohen.

“Kush don me u frikësu veç ata që kanë vjedh. Njerëzit e ndershëm nuk kanë nevojë me u firkësua e as nuk e paraqesin këtë frikë. Frika për rrëzimin në Kushtetuese ose që mundet me pas probleme ligjore aty janë të arsyeshme. Frika që mundet me pas probleme ligjore munden me qenë të arsyeshme. Por frika e atyre njerëzve që i frikësohen këtij projektligji janë ata që kanë keqpërdorur me detyrën zyrtare e që mendoj se e kanë detyrë me i kthy paret atje ku i kanë marrë”, tha Basha në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion.

Basha deklaroi se zbatimi i këtij Ligji është një format me të cilat Qeveria e Kosovës synon luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Kjo është me e luftu krimin dhe korrupsionin dhe Konfiskimi i Pasurisë së Pajustifikueshme është njëra ndër normat që kjo Qeveri është duke e bërë”, ka thënë ai. 

Haxhiu e Beqa debatojnë për Ligjin për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar

Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë që Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së Paluajtshme të fituar në mënyrë të kundërligjshme është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Kjo pasi deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa tha se ky ligj ka elemente që nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Haxhiu tha se ky ligj është në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

“Nuk ka dualizëm sepse Ligji për kompetenca të zgjeruara ka fushëveprim tjetër. Ai merret me konfiskimin penal e ky me konfiskimin civil. Sa i përket çështjes së kushtetutshmërisë dhe të tjera. Edhe në jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut është thënë që masa që përbëjnë ndërhyrje ndaj pronës mund të iniciohen me një mocion që në vetvete përfshinë verifikimin dhe propozimin për konfiskim edhe nga autoritetet e tjera që nuk kanë karakter gjyqësor apo prokurorial”, ka thënë Haxhiu, në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion.

Ajo iu përgjigj Beqajt edhe për deklaratën se përmes këtij ligji do të sekuestrohet pasuria e fituar me vepra penale. Haxhiu tha se përmes këtij ligji do të vendosen vetëm masa të sigurisë për gjashtë muaj.

“Ky ligj nuk parasheh sekuestrimin, por parasheh vendosjen e masave të përkohshme por edhe të sigurimit në maksimum gjashtë muaj,. Është edhe në projektligj e deri në një vit kur kemi bashkëpunim ndërkombëtar për pasuritë që konsiderohen që janë jashtë vendit".

Ministria iu përgjigj Beqajt edhe për pretendimet se mund të ketë ndikim politik në përzgjedhjen e drejtorit të Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ajo tha se drejtori do të zgjidhet dhe do të shkarkohet nga Kuvendi i Kosovës.

“Sa i përket ndikimeve e sidomos në raport me votimin e drejtorit, po them që drejtori zgjedhjet me shumicë të thjeshtë por shkarkohet me 61 vota. Ne nuk dimë një trup tjetër që është më legjitim se Kuvendi i Kosovës e që përbëhet nga përfaqësues të popullit. Nuk mund të përjashtojë mundësinë që në një të ardhme të largët edhe dikush mund të tentojë që të keqpërdor pozicionin dhe mundësinë por edhe më këtë bazë ligjore ka pasur mundësi për keqpërdorime”, ka thënë Haxhiu.

Komisioni për Buxhet miratoi Raportin për projektligjin për administrimin e pasurisë së sekuestruar

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere me shumicë votash miratoi Raportin me amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për administrimin e pasurisë se sekuestruar dhe konfiskuar.

Raport ky i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Kryetari i Komisionit, Armend Muja tha se ky projektligj nuk përmban implikime shtesë buxhetore.

Komisioni aktualisht po shqyrton raportin e vitit 2021 të RTK-së, ku për këtë po raportojnë kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat