​OAK kërkon heqjen e TVSH-së për produktet esenciale

Ekonomi

​OAK kërkon heqjen e TVSH-së për produktet esenciale

Më: 16 mars 2022 Në ora: 15:10
​OAK

Oda e Afarizmit e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të heqë TVSH-në për produktet esenciale për tre muaj, e pastaj vazhdimi nga 8% në 5%, për shkak të situatës së krijuar ekonomike si rrjedhojë e ngritjeve enorme të çmimeve.

Në një komunikatë për media thuhet se OAK-u ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti, ministrja e Industrisë Rozeta Hajdari dhe ministri i Financave Hekuran Murati që sa më shpejt të ndërmerren masa për tejkalimin e gjendjes, në mënyrë që bizneset dhe qytetarët të përballojnë më lehtë situatën e krijuar.

Sipas OAK-ut, ndërmarrja e masave emergjente nga ana e shtetit, në mënyrë që t’i paraprijë situatave të cilat po ndodhin jo vetëm te ne, por edhe në tregjet globale, do të ndikonte sadopak që të mbrohen qytetarët dhe operatorët ekonomikë.

Nisur nga fakti që ndryshimet janë të vazhdueshme, të papritura si dhe të reja për vendin tonë, OAK shpreh gatishmërinë që të përkrahë Qeverinë e Kosovës me propozime konkrete, në mënyrë që situata e krijuar aktuale të tejkalohet sa më shpejt dhe me sa më pak implikime për bizneset dhe shoqërinë në përgjithësi.

Oda e Afarizmit të Kosovës thotë se veprime të tilla kanë bërë edhe vendet e rajonit, ndër të cilat së fundi edhe Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, të cilat e kanë ngrirë marzhën e fitimit për produktet esenciale, si dhe kanë ulur TVSH-në nga 5% në 0%, ndërsa TVSH për ushqim në Maqedoni është 5 për qind.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat