Limani flet për ligjin e pagave në vend/ Ky është sugjerimi i tij

Ekonomi

Limani flet për ligjin e pagave në vend/ Ky është sugjerimi i tij

Nga: M.H. Më: 30 mars 2022 Në ora: 21:56
Foto ilustrim

Ekonomia e Kosovës është prekur mjaft shumë që nga pandemia e deri tek lufta e krijuar në Ukrainë.

Të gjendur përballë kësaj gjendje Kosova tashmë ka prekur temën për të rritur pagën minimale në vend.

Një ligj i tillë është duke u bërë për procedim të mëtejshëm, përcjell “Bota sot”.

Në lidhje me këtë temë ka folur profesori nga fusha e ekonomisë, Musa Limani.

Ai u shpreh se sa i përket ligjit për pagat që aktualisht është duke u bërë gati për procedim të mëtejshëm, thotë se është nevojë urgjenti aprovimi i këtij ligji, derisa sipas tij, paga minimale duhet të jetë 350 euro.

Për të bërë nivelizimin e pagave, nevojitet të caktohet paga minimale, e cila do të shërbejë bazë krahasuese, në të cilën bazë caktohen koeficientet, shton tutje, ai.

Me sa dihet, ekziston drafti i ligjit për paga, por ende nuk është aprovuar. Është nevojë urgjenti aprovimi i këtij ligji. Kjo është çështje e Qeverisë, por mendoj se sa më parë duhet të bëhet nivelizimi i pagave në Kosovë, në sektorin publik. Është për të konstatuar se në Kosovë kemi një disproporcion marramendës në mes pagës më të ulët dhe pagës më të lartë. Kemi paga edhe mbi 5.000 euro, por kemi edhe paga nën 150 euro. Nivelizimi i pagave nuk nënkupton paga lineare. Për të bërë nivelizimin e pagave, nevojitet të caktohet paga minimale, e cila do të shërbejë bazë krahasuese, në të cilën bazë caktohen koeficientet. P.sh. nëse paga minimale do të ishte 350 euro, atëherë me marrëveshje do të caktohet koeficienti sipas pozitave institucionale. Andaj, për Presidentit do të jetë, fjala bie 10, atëherë paga e Presidentit do të jetë 3.500 euro. Kështu, në mes pagës minimale dhe asaj maksimale do të caktohen koeficientët për Kryeparlamentarin, Kryeministrin e strukturat e tjera shtetërore. Në kuadër të sektorëve dhe shërbimeve, po ashtu do të caktohen koeficientet sipas elementeve, siç janë: niveli arsimor, përvoja e punës, përgjegjësia në punë e kështu me radhë”, u shpreh profesori.

Profesori më tutje tha që duke u bazuar në nivelin e zhvillimit ekonomik dhe situatës aktuale ekonomike, e duke pasur parasysh se paga minimale ka dhe koston e vet, paga minimale prej 350 euro, është optimale për momentin.

Ndërkaq, sa i përket pagës minimale, ajo duhet të caktohet në bazë të "shportës" jetësore, e jo sipas dëshirës së sindikatave apo të Qeverisë. Kjo, për arsye se paga minimale në vete nënkupton që një familje me atë nivel të pagës mbulon "shportën" e jetesës, përkatësisht siguron jetën ekzistenciale. Unë, në bazë të metodologjisë ndërkombëtare për llogaritjen e "shportës" jetësore, për analiza të mia, kam llogaritur këtë shportë për disa vite në bazë të çmimeve mesatare publike për artikuj ekzistencial të marra për çdo vit nga Agjencioni i Statistikave të Kosovës, ku për vitin 2020 më ka dalë se do të duhej të ishte 350 euro. Personalisht mendoj, duke u bazuar në nivelin e zhvillimit ekonomik dhe situatës aktuale ekonomike, e duke pasur parasysh se paga minimale ka dhe koston e vet, paga minimale prej 350 euro, është optimale për momentin. Unë vetëm sugjerova mendimin tim personal e profesional, përcaktimi i pagës minimale varet nga marrëveshja në mes sindikatave (të cilat janë të përçara) dhe të Qeverisë”, përfundoi Limani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat