Vlerësohen lart ndryshimet pozitive në sektorin e sigurimeve

Ekonomi

Vlerësohen lart ndryshimet pozitive në sektorin e sigurimeve

Më: 5 prill 2022 Në ora: 16:25
Pamje nga takimi

Reformat e bëra në dy vitet e fundit në sektorin e sigurimeve janë vlerësuar lartë nga Banka Qendrore e Kosovës, por edhe nga përfaqësuesit e Bankës Botërore në vend. Në njoftimin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës thuhet se sektori i sigurimeve në Kosovë, që nga fillimi i aktivitetit të tij, është ballafaquar me probleme, performancë jo të kënaqshme, si dhe mos pajtueshmëri me kërkesat rregullatorë të parapara me legjislacionin në fuqi te disa sigurues.

Sipas tyre, përpos tjerash, një gjendje e tillë është ndikuar edhe nga disa faktorë si aplikimi i tatimit në bruto primin e shkruar apo tatimin në qarkullim prej 5 përqind, detyrimin e sektorit të sigurimeve për kontribut ndaj Kryqit të Kuq me 1 për qind të bruto primeve, si dhe dëmet e shkaktuara nga automjetet e pasiguruara që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës. Derisa çështja e tatimit në qarkullim dhe kontributit për Kryqin e Kuq janë adresuar, automjetet e pasiguruara vazhdojnë të mbesin shqetësim për sektorin e sigurimeve.

“Duke marrë parasysh ngecjen e këtij sektori, gjatë viteve të fundit, BQK-ja ka ndërmarrë një varg masash dhe reformash me qëllim që sektori i sigurimeve të sigurojë pajtueshmëri me kornizën ligjore në fuqi. Për këtë qëllim, gjatë viteve të fundit, BQK-ja ka marrë me dhjetëra masa administrative kundrejt siguruesve, përfshirë edhe revokimin e dy licencave. Si rezultat i këtyre masave të ndërmarra, gjatë tri viteve të fundit aksionarët e disa prej siguruesve kanë injektuar kapital në vlerë mbi 16 milionë euro”, thuhet në njoftim.

Aty më tutje thuhet se si rrjedhojë, ju informojmë se me 31 mars 2022, të gjithë siguruesit që ushtrojnë aktivitetin e sigurimeve në vend, janë në përputhje me kërkesat ligjore të BQK-së.

“Duke marrë parasysh faktin që sektori i sigurimeve në Kosovë është tërësisht i kapitalizuar dhe në pajtim me kërkesat ligjore në fuqi, BQK-ja në bashkëpunim me Bankën Botërore janë duke ndërmarrë veprimet përfundimtare për të liberalizuar tregun e produktit të autopërgjegjësisë. Që nga data 4 prill 2022, në BQK janë duke qëndruar ekspertët e Bankës Botërore me të cilët do të dizajnohet modeli i ri i primit të bazuar në rrezik dhe udhërrëfyesi për solvencën 2”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat