Për një muaj, Kosova importoi mallra rreth 500 milionë euro

Ekonomi

Për një muaj, Kosova importoi mallra rreth 500 milionë euro

Më: 13 qershor 2022 Në ora: 16:07
Foto ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin mars 2022

Në muajin mars 2022, Kosova eksportoi mallra në vlerë vetëm 88.6 milion Euro. Por, vendi për këtë periudhë kohore, importoi 493.9 milion Euro.

Agjencia e Statistikave të Kosovës në raportin e saj, deklaron se kjo është një rritje prej 43.3% për eksport dhe 29.1% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

“Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 26.4% në muajin mars 2022, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 405.3 milion Euro, krahasuar me deficitin prej 320.7 milion Euro në vitin 2021. Eksporti mbulon importin me 17.9%”, shkruan në raportin zyrtar të ASK-së.

Institucioni që merret me të dhënat zyrtare ekonomike, deklaron se sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 28.0% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 23.7% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 3.2% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6.4% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.8% e përbëjnë produktet minerale, etj.

“Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.0% e përbëjnë produktet minerale; 12.0% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.8% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8.4% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6.8% e përbëjnë mjetet e transportit, etj”.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së (27) arritën në 25.2 milion Euro, ose rreth 28.5% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 27.2%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (7.2%), Itali (5.5), Austria (3.5%), etj.

Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) ishin rreth 205.4 milion Euro, ose 41.6% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 11.1%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (10.6%), Greqia (4.8%), Italia (4.5%), etj.

ASK deklaron se në muajin mars 2022, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 34.1 milion Euro ose 38.6% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 40.5%. 

“Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (14.1%), Shqipëria (11.0%), Serbia (7.7), Mali i Zi (4.5%)”. sqaron Agjencia e Statistikave të Kosovës.

“Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin mars 2022 arritën në 93.2 milion Euro, ose 18.9% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 30.7%”.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.5%), Shqipëria (5.8%), Maqedonia e Veriut (5.3%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 29.1 milion Euro ose 32.9%. 

Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (19.3%), dhe Zvicra (6.7%).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 195.2 milion Euro, ose 39.5%. 

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13.8%) dhe Kina (10.5%).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat