Lehtësohet tregtia rajonale, Dogana përfundon procedurën për njohjen e OEA

Ekonomi

Lehtësohet tregtia rajonale, Dogana përfundon procedurën për njohjen e OEA

Më: 27 qershor 2022 Në ora: 14:21
Foto ilustrim

Kalimi me përparësi në pikat kufitare të Shqipërisë, më pak kontrolle, shmangie të dërgimit të dyfishtë të dokumenteve dhe verifikimeve dhe një sërë përfitimesh të tjera janë ato që program i ri i Shërbimit Doganor Shqiptar u mundëson operatorëve ekonomikë. Kjo do të thotë një "certifikatë cilësie/status të veçantë", të njohur ndërkombëtarisht, që tregon angazhimin e tyre ndaj sigurisë në zinxhirin ndërkombëtar të furnizimit, si dhe u jep të drejtën për një trajtim preferencial doganor.

Shqipëria është vendi i katërt në CEFTA që validon programin e saj kombëtar të operatorëve ekonomikë të autorizuar dhe njohja reciproke midis këtyre programeve në rajon, do të thotë se operatorët shqiptarë, përveç përfitimeve të ofruara nga Administrata e tyre Doganore do të kenë gjithashtu përfitime më të mëdha në vendet e CEFTA-s

Statusi i Operatorit Ekonomik të Autorizuar (OEA), është një masë e rëndësishme e lehtësimit të tregtisë, mjaft e shpeshtë në praktikën tregtare Evropiane. Ajo po bëhet gjithashtu një masë e preferuar edhe në tregtinë mes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Qeveria shqiptare prej kohësh ka realizuar një analizë standarde përfitime-kosto,  që është një ‘auditim’ i kapaciteteve të biznesit për marrjen e statusit të Operatorit Ekonomik të Autorizuar, Ndër  përfitimet nga marrja e statusit të OEA ose/statusit të zhdoganimit lokal  janë kursimi i kostove për pagesën e agjencisë doganore, evitimi i kostove të parkimit, reduktimi i kostove kohore dhe përfitime nga rritja e kënaqësisë së klientëve. 

Përfitimi i llogaritur për  çdo vit nga marrja e statusit të zhdoganimit lokal është 46,270€ (ose rreth  4 mijë € për çdo muaj), ndërsa përfitimi i llogaritur për çdo vit nga marrja e statusit të OEA është 58,270€  (ose rreth 5 mijë € për çdo muaj). Pjesa dërrmuese e këtyre kursimeve, mbi 90%, vjen nga evitimi i shpenzimeve për agjencinë doganore dhe, pjesa tjetër, nga kursimi i shpenzimeve për parkingun në doganë.

Vitet e fundit Dogana Shqiptare ka punuar intensivisht për hartimin e Dispozitave Zbatuese për Kodin Doganor, duke synuar jo vetëm përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, por dhe futjen e procedurave të reja të parashikuara prej tij, të cilat nënkuptojnë nevojën për një bashkëpunim më të madh në binomin Doganë – Biznes.

Shqipëria ka përafruar gjerësisht legjislacionin doganor me acquis e BE-së në fushën doganore dhe ka avancuar gjithashtu me zbatimin e programit të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (OEA), duke autorizuar 8 operatorët e parë ekonomikë në vitin 2021 dhe 4 të tjerë në vitin 2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat