Beteja për bukën, Peci: Kosova siguron 73 për qind të nevojave me grurë

Ekonomi

Beteja për bukën, Peci: Kosova siguron 73 për qind të nevojave me grurë

Më: 5 korrik 2022 Në ora: 23:27
Faton Peci

Agresioni rus mbi Ukrainën ka bërë që shumë çmime të produkteve ushqimore të rriten. Mes tyre edhe ai i miellit e rrjedhimisht edhe i bukës. Punimi i tokës është lënë anash në Kosovë për shumë vite. E kjo për shumë arsye.

Rritja edhe e çmimit të derivateve të naftës dhe tregu jo i sigurt, ka bërë që fermerët të mos jenë shumë entuziastë të merren me bujqësi. Për këtë arsye, sonte në emisionin “RTK PRIME” po flitet pikërisht për bukën.

Faton Peci, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, tha se sigurimi i i ushqimit është një temë që po e preokupon tërë globin, madje edhe liderët e superfuqive botërore, prandaj edhe ne, si Kosovë, nuk kemi si mos të jemi të prekur karshi rritjes së çmimeve në tregun botëror.

Sipas tij, krahas kësaj nevoje janë bërë edhe angazhimet institucionale dhe ato të bizneseve dhe fermerëve, për të zgjeruar kapacitetet për të siguruar bukën.

“Në kuadër të angazhimeve tona, si Ministri edhe si Qeveri, kemi tentuar të japim maksimumin, brenda mundësive dhe kapaciteteve buxhetore, që të rrisim nivelin e subvencioneve”, tha ai.

Ministri Peci foli edhe për shakatarët e krizës globale, si ajo e pandemisë, nga Covid-19, ashtu edhe luftën në Ukrainë pas agresionit rus atje, që ndikuan në shkëputjen e prodhimit, por edhe transportit.

Kemi rritur përkrahjen në bujqësi, në rritjen e sipërfaqeve, kemi rritur përkrahjen për subvencionimin e mbjelljes së grurit me 474 euro për hektar, apo 216 për qind më shumë se vitin e kaluar, kemi rritur subvencionin për dëmet për disa kultura bujqësore...Kemi një rritje të sipërfaqes me 15 për qind të drithërave të bardha, kjo për shkak të krizës, pas pandemisë e agresionit rus në Ukrainë”, tha ai.

Ministri Peci foli edhe për parashikimet rreth rendimenteve të grurit që priten këtë vit.

“Fillimisht janë pritur rendimente më të larta, por më vonë disa të reshura kanë ulur këto parashikime. Rendimentet priten të jenë nga 4.000 deri në 4.500 kilogramë, për një hektar”,tha ministri.

Nevojat e tregut në Kosovë, sipas ministrit Peci, do të përmbushën rreth 73 për qind, kjo edhe sipas vlerësimeve të ekspertëve. Nevojat e Kosovës janë për rreth 400 mijë ton grurë, kurse Kosova pritet të siguroi mbi 260 mijë ton grurë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat