​Flasin nga OEK: Të mos kushtëzohen subvencionet për punëtorët në sektorin privat

Ekonomi

​Flasin nga OEK: Të mos kushtëzohen subvencionet për punëtorët në sektorin privat

Më: 6 shtator 2022 Në ora: 15:44
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna

Pakoja prej 150 milionë eurosh për përballje me inflacion të prezantuar nga kryeministri Albin Kurti që parasheh subvencionimin e pagave për punëtorët e sektorit privat, nuk është mirëpritur nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Me anë të kësaj pakoje është paraparë subvencionim prej 50 për qind të rritjes së pagës deri në 100 euro për punëtorët e sektorit privat, për tre muajt e parë. 

Drejtues të OEK-ut propozojnë që përveç kësaj pakoje, Qeveria e Kosovës ta nxjerrë edhe një pako të re që ka në fokus bizneset.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka thënë për KosovaPress se nuk do të duhej të kushtëzohen subvencionet për punëtorët në sektorin privat. 

Rafuna: Nuk kish me qenë mirë që të kushtëzohet që rritja e pagave

“Nuk do të ishte mirë që të kushtëzohet që rritja e pagave të jetë me subvencion për punëtorin. Për arsye se biznesi varësisht prej ofertës dhe kërkesës që ka ai do ta rrisë pagën. Për mendimin tim nuk kishte qenë mirë që të kushtëzohet çështja e subvencionit të punëtorëve në sektorin privat nëpërmjet rritjes së pagave. Në rast se ka kërkesë për punëtorë dhe ofertë të mirë, atëherë vetvetiu kërkesa dhe oferta rregullojnë çështjen e pagës”, thotë Rafuna. 

Rafuna thekson se qeveria duhet kuptuar gjendjen jo të mirë të bizneseve si pasojë e goditjes nga pandemia COVID-19 dhe rritjes enorme të çmimeve pas agresionit rus në Ukrainë.

Rafuna: Nuk është gjendja e mirë e bizneseve, të mos kushtëzohen subvencionet 

“Nuk është gjendja e mirë e bizneseve, në qoftë se shohim të dhënat sidomos në tregtinë me mallra, ka një rënie të një sasie të mallrave të importuara, më pas ka rënie të depozitave nëpër banka, kemi rritje të kredive nëpër banka, duke përfshirë edhe riprogramimin e kredive. Kështu që këto janë elementet që tregojnë më së miri gjendjen në të cilën ndodhen qytetarët dhe bizneset. Çka ndodhë nëse biznesi nuk e rritë pagën dhe nuk e merr subvencionin prej qeverisë, por vazhdon me pagën e njëjtë me mbajt punëtorin. E mira, kishte me qenë që biznesi vet ta vlerësojë se sa duhet të rritet paga që qeveria mos ta kushtëzojë me rritje ta pagës, por qeveria ta subvencionojë 20, 30 apo 40 përqind të punësuarin (shembull), pavarësisht a rritet paga apo jo, por që mos të kushtëzohet me rritje të pagës”, thotë Rafuna. 

Kreu i OEK-ut ka propozuar që përveç kësaj pakoje të prezantuar të shtunën, Qeveria e Kosovës ta nxjerrë edhe një pako të re që do ta kishte në fokus biznesin. 

Rafuna: Qeveria të propozojë edhe një pako të re për bizneset

“Ka qenë momenti i fundit që të merret ndonjë hap për t’iu dalë në ndihmë edhe qytetarëve edhe bizneseve. Kërkesa jonë gjithmonë ka qenë dhe mbetet që të gjenden mënyrat për t’iu dalë në ndihmë bizneseve, duke mos i përjashtuar qytetarët e Kosovës, por të jetë një fokus më i madh te bizneset sidomos te ato prodhuese, të cilat më së shumti janë të ndikuara edhe nga çështja e pandemisë, pastaj në mënyrë indirekte që ndikojë lufta në Ukrainë dhe tani kriza e energjisë elektrike. Plus duke pasur parasysh që po hyjmë në një periudhë të dimrit, kështu që është e domosdoshme që përveç kësaj pakoje që është bërë publike nga qeveria, ta nxjerrin edhe një pako të dytë ku do ta ketë në fokus gjithmonë biznesin për ta përballuar sa më lehtë jo vetëm krizën financiare, por edhe krizën me energji elektrike”, thekson ai. 

Kryeministri Albin Kurti të shtunën ka prezantuar pakon për përballje me inflacion prej 150 milionë eurosh. Në këtë pako, për pensionistët do të ndahet shuma e menjëhershme prej 100 eurove, ndërsa familjeve me asistencë sociale do t’u dyfishohet shuma e asistencës për një muaj.

Për zyrtarët publikë, qeveria do të ndajë shtesa prej 50 eurove duke filluar nga muaji shtator deri në dhjetor, kurse për punëtorët e ndërmarrjeve publike do të ndajë shumë të menjëhershme prej 100 eurove.

Kryeministri Kurti ka thënë se do të mbështesin secilin biznes që i rritë pagat e punëtorëve duke subvencionuar 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorë, maksimumi 100 euro për tre muajt e parë. 

Mbështetje financiare do të ketë edhe për studentët me nga 100 euro në muajin nëntor. Edhe për qytetarët që kursejnë energji elektrike do të ketë subvencione në faturat e rrymës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat