Rritja e vazhdueshme e çmimeve, qytetarët shprehin shqetësimin e tyre

Ekonomi

Rritja e vazhdueshme e çmimeve, qytetarët shprehin shqetësimin e tyre

Më: 25 shtator 2022 Në ora: 18:39
Ilustrim

Qytetarët shprehen të brengosur për rritjen e çmimeve në produktet ushqimore. Sipas tyre nëse vazhdon kjo rritje e çmimeve, do të jetë e vështirë për ta tejkaluar periudhën e dimrit. Ata thonë se rritja e çmimeve po ndikon negativisht në jetët e tyre, e për disa të tjerë kjo rritje e çmimeve nuk është problem.

Mursel Hoti, qytetar, thotë për KP se nuk duhet bërë shumë panik në lidhje me këtë, pasi sipas tij nuk duhet humbur shpresat.

“Ne po i përballojmë. Jemi mësuar të vuajmë edhe më herët. Tani njerëzit po mendojnë më shumë se çka do të bëjnë, si do t’ia bëjnë. Çmimet po rriten gradualisht, por po rriten edhe të ardhurat sikur rrogat dhe pensionet. Nuk duhet të bëhet shumë panik njerëzit që frikësohen se si do t’ia bëjnë. Njerëzit që shpenzon shumë janë mësuar të harxhojnë shumë dhe sado që t’i rritet paga ai shpenzon. Do t’ia dalim, nuk duhet t’i humb shpresat njeriu”, tha ai.

Ndërsa Kamer Gashi thotë se ngritja e çmimeve vjen si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës dhe se me këso problemesh po përballen edhe vendet e tjera evropiane.

“Me rëndësi është që në Kosovë të mos jenë çmimet e larta të ushqimit. Luksit mund t’i ikim disi, edhe derivateve mund t’i ikim, nuk është problem, bile do të kishte qenë edhe më mirë sepse do të kishim dalë më biçikleta. Por ushqimi nuk duhet të lëvizë për shkak të ardhurave të vogla. Për vete jetoj jashtë, për momentin jam në pushime. Kam ardhur që tri ditë, nuk e kam problem, mirëpo problem është nëse rriten çmimet e ushqimit. Ne jemi popull i vuajtur, nuk kemi dalë moti prej luftës, nuk e kemi problem ta kalojmë edhe dimrin. Nëse nuk përdorim me rrymë, përdorim dru dhe bëjmë zgjidhje e bëjmë, por nuk është në rregull, sepse ne jemi prodhuesit më të mëdhenj të rrymës, mund të shesim thëngjill dhe të blejmë rrymë. Edhe në Evropë çmimet kanë lëvizur nuk është vetëm këtu problem ka dhe Gjermani më rrymë sepse ka ndikuar lufta shumë. Çmimet që janë nëpër dyqane nuk kanë dallim të madh”, tha ai.

Qytetarja tjetër Selvie Maroviq thotë se shkalla e ulët e punësimit po ndikon në gjendjen e tyre ekonomike dhe gjithë këtë po e rëndon akoma më shumë ngritja e çmimeve të artikujve ushqimorë.

“Ne po i përballojmë, por çfarë të bëjmë që dikush nuk mund t’i përballojë. Nuk ka punësim, kjo është keq. Unë kam qenë 15 vjet në Gjermani, na kanë kthyer, këtu nuk ka as punësim, po rrimë në shtëpi. Fëmijët po kujdesen, i kam jashtë vendit fëmijët jemi të sëmurë, pesë operacione i kam”, tha ajo.

Ndërsa qytetari Haki Maroviq thotë se me një pension nuk mund t’ia del që të mbajë familjen nëse nuk do të ishte ndihma e familjarëve nga diaspora.

“Me një pension nuk mund të jetosh, por diaspora po na ndihmon. Me këtë pension nuk na dalin as për barna, çmimet po rriten. Kushtet i kam të mira, por dikush që nuk i ka kushtet, unë mund ta përballoj. Druri është shtrenjtuar, kubiku është bërë 80 euro”, tha ai.

Ndërsa Adem Uka, thotë se çmimet e larta po ndikojnë në xhepin e qytetarëve, derisa ka shtuar se duhet ditur menaxhuar buxhetin për ta tejkaluar situatën.

“Çmimet e larta e vështirësojnë jetën e qytetarëve e rëndojnë pozitën e tyre, por nuk e di sa janë të arsyeshme sepse disa po ngrihen, disa po bien. Vaji prej tre euro ka rënë në 2.30-2.40 centë. Por për shumë artikuj nuk ka shpresë se do të lirohen dhe gjithsesi e ngarkojnë buxhetin e çdo familje në Kosovë përveç disa që kanë me çka të paguajnë dhe nuk e kuptojnë vlerën e parasë. Sigurisht që ndikon negativisht, mirëpo besoj që me kohën është e tejkalushme. Po gjithësesi. Nuk e di nuk kam evidencë, mirëpo njeriu mund të shpenzoj më pak mesatarisht. Nuk ka problem nëse di të menaxhosh buxhetin dhe e tejkalon krizën”, tha ai.

Ndryshe, shtrenjtimi i çmimeve të konsumit ishte 0.2 për qind më i lartë në muajin gusht në krahasim me muajin paraprak, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Ngritje të çmimeve të konsumit ka pasur te lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet (6.3%); qumësht, djathë dhe vezë (3.6%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (2.3%); mish (1.7%); bukë dhe drithëra (0.6%). Ndërsa, rënie kishte në karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (-6.1%).

Inflacioni i çmimeve në muajin gusht 2022 ishte 13 për qind më i lartë në krahasim me muajin e njëjtë 2021 për shkak të ngritjes së çmimeve të konsumit të vajrave dhe yndyrave ushqimore (52.1%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (48.6%); bukë dhe drithëra (32.4%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (32.0%); qumësht, djathë dhe vezë (26.2%); gaz (26.1%); mish (22.5%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira (19.7%); shërbime për transport (17.9%); kafe, çaj dhe kakao (17.6%); prodhime të ndryshme ushqimore, salca, erëza, kripë, ushqim për fëmijë etj. (15.7%); shërbime hoteliere (14.9%).

Mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake shënuan ngritje (14.3%); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (12.2%); vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht (11.3%); kujdes personal (8.9%); pushime të organizuara (7.9%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (7.3%); gjëra dhe pajisje të tjera rekreative, kopshte dhe manare (6.8%); pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal (6.2%); gjëra personale (5.9%); pajisje shtëpiake (5.4%); blerje e automjeteve (5.3%); duhan (5.3%); pije alkoolike (5.2%); produkte farmaceutike (4.6%); qelqurina, takëme dhe mjetet e kuzhinës (4.2%); mobilie dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (3.8%).

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat