Guvernatori Mehmeti: Rritja ekonomike për këtë vit është rreth 3.7%

Ekonomi

Guvernatori Mehmeti: Rritja ekonomike për këtë vit është rreth 3.7%

Më: 28 shtator 2022 Në ora: 13:40
Foto nga takimi

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka thënë se rritja ekonomike në Kosovë për këtë vit është rreth 3.7%, përderisa vitin e kaluar rritja ishte mbi 10%.

Mehmeti gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet tha se si institucion po arrijnë ta ruajnë sistemin bankar, përkundër sfidave globale. Sipas tij, gjatë vitit të kaluar ka pasur 1.5 miliard euro remitanca.

Ky raport përmban një përmbledhje gjithëpërfshirëse të aktivitetit të BQK-së për vitin 2022 duke pasqyruar me fokus të dhënat dhe treguesit më të rëndësishëm të sektorit financiar të vendit për vitin përkatës”, tha Mehmeti.

Përkundër rrethanave globale, sipas ASK-së, ekonomia kosovare ka shënuar rritje prej 10 për qind. BQK-ja me sukses ka arritur të përmbushë rolin e saj kushtetues dhe ligjor përmes vendimmarrjes profesionale të bazuar në standardet e parimet e qeverisjes korporative, pavarësisë dhe llogaridhënies”, tha Mehmeti.

Ditë më parë, Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se përkundër krizave globale shëndetësore dhe energjetike, Kosova vitin e kaluar ka pasur rritjen më të madhe në rajon.

Dhe sipas tij, ky trend i mirë, po vazhdon edhe sivjet. Sipas “të dhënave” të Kurtit, në çerekun e parë të këtij viti rritja ekonomike është 4.9%.

Sot u bënë një vit e gjysmë të qeverisjes sonë. Përkundër krizave globale shëndetësore dhe energjetike, vitin që lamë pas shënuam rritje ekonomike prej 10,7% që është edhe rritja më e madhe në rajon. Ndërkaq, në çerekun e parë të këtij viti patëm 4.9% rritje ekonomike”, thuhej në postimin e Kurtit.

Anëtarët e Komisionit për Buxhet patën kritika për rritjen e normave të interesit nga bankat komerciale dhe operimi i bankave me valuta të dinarit.

Deputetja e Listës Guxo, Jeta Statovci adresoi kritika rreth paralajmërimeve për rritje të çmimit të kredisë ekzistuese.

Ajo tha se përkundër rritjes së profitit neto e zvogëlim të kredive jo performuese, paralajmërohet rritje e interesit në kredi të reja dhe ekzistuese, e cila sipas saj do e rrisë koston e jetesës së ekonomive familjare dhe bizneseve.

Vetëm në shtatë muajt e vitit 2022, ka një profit rreth 83 milionë euro fitim neto, që duke e krahasuar me vitin paraprak ka qenë 66 milionë euro. Pra shohim se ka rritje të profitit pa i prekur normat e interesit. Tek kreditë joperformuese po shkojnë në rënie, pra deri në korrik të këtij viti është 2.1 për qind norma e kredive, kurse në vitin paraprak ka qenë 2.6. Nëse shkojmë te depozitat, e shohim se janë rrit, ku në vitin 2022 i kemi rreth 5 miliardë euro depozita ndërsa në vitin paraprak ka qenë 4.5 miliardë”, tha Statovci.

Pal Lekaj deputet i AAK-së, tha se me ngritjen e interesit bankar po mbytet qytetari.

“Nëse flasim për relacionin qytetarë-bankë, mendoj se këtu çalon monitorimi i juaj. Norma e interesit në mikro-financa është shumë i lartë dhe nuk mund të thuani se këtu nuk mund të ndërhyni. Te garancionet bankare mendoj që BQK ka dështuar sepse në shumicën e rasteve nuk përgjigjen, dhe kush pëson më shumë është institucioni dhe bankat komerciale. Me ngritjen e interesit bankar mendoj që këtu duhet që të bëhet një zgjidhje sepse BQK është rregulluese dhe e them këtë se e kemi mbytur qytetarin”, tha Lekaj.

E deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se bujqit dhe familjet me kushtë të vështira po i vuajnë më shumë normat e larta të interesit.

“Bujqit dhe familjet e varfëra janë ata që po i vuajnë rritjen e kamatave. Po marrin kredi në bankat mikro-financiare, që kanë një normë të interesit shumë të lartë. Ka bujq që marrin kredi dhe nuk mund t’i rikthejnë me kohë, dhe bujqit në momentin që i marrin subvencionet i paguajnë kreditë. Me keqardhje e them se shumica e subvencioneve shkojnë në mbulim të kredive”, tha Hoti.

Tutje Hoti foli edhe për pagesat që kryhen me dinarë dhe qytetarët që i marrin pensionet me këtë valutë.

“Kemi banka që kryejnë para me dinarë, pra janë në veri të vendit dhe në Graçanicë dhe kemi qytetarë që marrin pensione me dinarë. Po kërkoj ta di se cila është metoda e juaj për ta ndaluar këtë”, tha Hoti.

Se pagesat e tilla kryhen me dinarë, e konfirmoi vetë guvernatori i BQK-së.

“Një bankë komerciale është e licencuar kohë më parë dhe tash kjo bankë është shtiur në NLB Banka dhe sa i përket pagesave që ndodhin me dinarë, mund të jenë në pjesën veriore dhe në Graçanicë. Kur dimë për këto raste ne e njoftojmë Policinë e Kosovës dhe ata i marrin masat e tyre”, tha ai, teksa u klikua që për këtë çështje të diskutohet pa praninë e medieve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat