​Bordi i AKP-së aprovoi rregulloren për organizimin e brendshëm

Ekonomi

​Bordi i AKP-së aprovoi rregulloren për organizimin e brendshëm

Më: 30 nëntor 2022 Në ora: 17:28
Foto ilustrim

Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit sot në mbledhjen e radhës aprovoi rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në AKP.

Po ashtu u aprovua edhe plani vjetor i punës dhe performancës së AKP-së për vitin 2023, transaksionet e shitjes së aseteve përmes likuidimit numër 60, si dhe raporti i Komisionit të Banesave për shitjen e 27 banesave në pronësi të ndërmarrjeve shoqërore në bazë të kërkesave të parashtruara nga shfrytëzuesit legal të tyre sipas procedurave ligjore në fuqi.

Në lidhje me procesin e likuidimit, Bordi aprovoi inicimin e procedurave të likuidimit për ndërmarrje shoqërore/asete: Industria e Qeramikës KIS, Gjilan; “Gazela”, Prishtinë dhe “SirovinaBanat”, Prishtinë.

Bordi po ashtu u njoftua me raportet përfundimtare për ndërmarrjet shoqërore në likuidim: Kooperativa Bujqësore "Prapaçani" - Deçan dhe për “KB Kuqishte” Pejë, përderisa këto raporte përfundimtare dërgohen në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për aprovim dhe mbyllje të këtyre ndërmarrjeve.

Gjatë kësaj mbledhje u aprovuan edhe raportet e shpërndarjes së përkohshme për kreditorët e ndërmarrjeve “Drita Hotel” Ferizaj, “Duhani” Prishtinë, “Shipad Komerc” Pejë dhe “XIQ Karaqeva” Kamenicë.

Gjatë këtij takimi të Bordit, menaxhmenti i AKP-së prezantoi raportin mujor të aktiviteteve për periudhën paraprake, si dhe raportin mujor për ndërmarrjen shoqërore Brezovica, e cila është nën administrim direkt, ku janë duke u bërë përgatitjet për sezonin dimëror. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat