Rizvanolli në Zagreb tregon sukseset në përballimin e krizës energjetike

Ekonomi

Rizvanolli në Zagreb tregon sukseset në përballimin e krizës energjetike

Më: 2 mars 2023 Në ora: 17:36
Ministrja e Ekonomisë (ME) Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë (ME) Artane Rizvanolli po përfaqëson Republikën e Kosovës në Forumin e Partnershipit për Bashkëpunim Transatlantik për Klimë dhe Energji (P-TECC), që po mbahet në Zagreb të Kroacisë.

Ministrja Rizvanolli ka ndarë përvojën e suksesshme të Kosovës në përballje me krizën energjetike dhe të gjitha masat që ka ndërmarr Qeveria e Kosovës për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset.

Kështu thuhet në komunikatën e Ministrisë së Ekonomisë, ku theksohet se ministrja Rizvanolli po merr pjesë me ftesë të Departamentit të Energjisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe sot ishte pjesë e panelit të Efiçencës dhe Energjisë së Ripërtërishme në kuadër të Forumit, ku folës ishte edhe Péter Szijjártó, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Marc Lafrance, përfaqësues i Departamentit Amerikan për Energji dhe Jubo Turashvili, përfaqësues i Ministrisë së Ekonomisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm të Gjeorgjisë.

“Gjatë fjalës së saj, Ministrja Rizvanolli ka ndarë përvojën e suksesshme të Kosovës në përballje me krizën energjetike dhe të gjitha masat që ka ndërmarr Qeveria e Kosovës për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset, si dhe për të rritur efiçiencën, si subvencionimi i pajisjeve efiçiente, subvencionimi i kursimit dhe fushatat vetëdijësuese. Ministrja Rizvanolli po ashtu theksoi se gjatë muajve në vijim do të thellojnë ndarjen e përvojave dhe bashkëpunimin me Departamentin e Energjisë së ShBA-ve në këtë fushë”, thuhet në njoftim.

Në vitin 2021, Ministrja Rizvanolli ka përfaqësuar Kosovën për herë të parë në këtë Forum, i cili është mbajtur në Varshavë.

Më tej thuhet se P-TECC është e fokusuar në bashkëpunimin teknik në disa fusha, duke përfshirë përmirësimin e efikasitetit të energjisë dhe shpërndarjen e energjisë së pastër, përfshirë sektorët e energjisë së rinovueshme, energjisë bërthamore, po ashtu mbështet praktikat më të mira të sigurisë kibernetike të energjisë dhe promovimin e investimeve të reja kapitale në infrastrukturën kryesore të energjisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat