Kosova me perime të importuara, konsumatorët ankohen për çmime të larta

Ekonomi

Kosova me perime të importuara, konsumatorët ankohen për çmime të larta

Më: 10 mars 2023 Në ora: 12:08
Foto ilustrim

Perimet në Kosovë në këtë kohë vijnë nga Shqipëria, Greqi dhe Turqia. Kjo është arsyeja që ato po shiten shtrenjtë, thonë shitësit. E qumështarët vendorë bënë të ditur se i kanë zbritur produktet e tyre deri në 10%. Ndërsa stabilizim i çmimeve pritet në gjysmën e dytë të këtij viti.

Qytetarët po ankohen për çmime të larta të produkteve të konsumit. Por, ajo që po bie më shumë në sy janë çmimet e perimeve. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 10.4 % është rritja e çmimit të perimeve krahasuar me janarin e vitit të kaluar. Një qytetare me emrin Alije Keqi tha se çmimet janë të shtrenjta por jo me fajin e shitësve.

“As lirë nuk janë por, shitësit nuk kanë faj, ashtu po i marrin dhe ashtu po i  shesin”, tha ajo.

Shitësi në Tregun e Gjelbër në Prishtinë, Patriot Maqastena, tha se me perime po furnizohen nga Shqipëria, Turqia dhe Greqia. Ai i tha Radio Kosovës, se çmimet i kanë më të volitshme se sa në dyqane.

“Prej Shqipërisë  vijnë tranguj, domate, lakër dhe presh. Specat vijnë nga Greqia dhe Turqia . Për momentin nuk po marrim speca grekë sepse janë shumë të shtrenjtë, i kemi vetëm nga Turqia ku kilogrami kushton 2.50 centë. Ndërsa domatja është 2 deri në 2.3- centë. Ne kemi parë që në markete po shkojnë më shtrenjtë por ne po i mbajmë me çmime më të volitshme”, deklaroi Maqastena.  

Përkundër ngritjeve të shumë produkteve, qumështarët kanë zbritur çmimet e produkteve të qumështit deri në 10%. Kështu tha kryetari i Shoqatës se Qumështarëve të Kosovës, Milazim Berisha. 

Ai i tha mediumit publik se çdo ditë është duke pasur zbritje edhe përkundër shpenzimeve të mëdha me të cilat po përballen.

”Çdo ditë është duke pasur zbritje të çmimeve në përgjithësi të produkteve të qumështit. Ne nuk mundemi t’i zbresim çmimet edhe në nivelin çfarë janë, sepse kemi rritje të shpenzimeve mbi 50%. Në dy vitet e fundit maksimum janë rritur çmimet 15 deri në 18%.  Por kohëve të fundit kemi zbritje të çmimeve deri në 10%, nëse i shihni ne markete, pak si pasojë e mos shitjes si dhe futjes së qumështit pluhur që po hynë në Kosovë, e që po e blejnë shqiptarët për qumësht”, tha Berisha.  

Ulje të çmimeve të produkteve ushqimore po pritet të ketë në gjysmën e dytë të këtij viti. Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, tha se kjo do të ndikojë në përmirësim të jetës së qytetarit.

Inflacioni do të vazhdojë deri në mujorin e parë të këtij viti, ku parashikohet një stabilizim i inflacionit dhe më pas një tentim i rënies së lehtë të inflacionit. Kjo do të ndikojë dukshëm në përmirësimin e jetës së qytetarit dhe përmirësimin e standardit”, tha Shahini.

Kujtojmë se inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit sipas ASK-së, është  0.9% në muajin janar 2023. Ndërsa norma vjetore e inflacionit e matur në muajin janar 2023 me muajin janar 2022 ishte 12.1%.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat