Zeka: Kosova po dështon të tërheqë investime, duhet arritur marrëveshja me Serbinë

Ekonomi

Zeka: Kosova po dështon të tërheqë investime, duhet arritur marrëveshja me Serbinë

Më: 9 maj 2023 Në ora: 06:56
Arian Zeka

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka thotë se vendi i tij prej vitesh po dështon në aspektin e tërheqjes së investimeve dhe jo vetëm nga korporatat serioze. Shkak sipas tij është mungesa e një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi.

Zeka thotë se megjithëse vëllimi i investimeve të huaja direkte në vend ka shënuar rritje, paratë po hidhen kryesish në sektorë që nuk krijojnë vendeve të qëndrueshme pune sikurse ai i pasurive të patundshme.

Zeka thotë se Oda Amerikane e Kosovës, në mënyrë të vazhdueshme i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, që të marrin me seriozitet përmbushjen e të gjitha detyrimeve, të cilat i kanë marrë përgjatë viteve, përmes nënshkrimit të marrëveshjeve të shumta për normalizimin e marrëdhënieve.

Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës zoti Zeka flet dhe mbi planet e qeverisë e Kosovës për themelimin e atij që do njihet si Fondi Sovran, nëpërmjet të cilit synohet që të merren në pronësi, pasuri strategjike të vendit, sikurse kompleksi metalurgjik i Trepçës, telekomi dhe korporata energjetike e Kosovës. Por zoti Zeka thotë se kjo nuk është forma e duhur për t’i kthyer këto kompani në fitimprurëse.

Sipas tij zgjidhja do të ishte privatizimi i këtyre ndërmarrjeve publike, si forma e vetme për rivitalizimit e tyre.

“Në aspektin e perceptimit apo në aspektin se si e shohin investitorët e huaj, në radhë të parë ata amerikanë, apo edhe investitorë të tjerë të huaj, në kushtet e mungesës të një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, besoj se nuk ka nevojë të komentohet shumë. Për vite me radhë realisht Kosova dështon në aspektin e tërheqjes së investimeve jo vetëm nga korporatat serioze, por edhe korporatat në përgjithësi, dhe atyre amerikane. Thjesht duket sikur nuk jemi fare në hartë kur vjen puna për tërheqjen e investimeve. Për hir të së vërtetës, vëllimi i investimeve të huaja direkte në vend ka shënuar rritje. Por nëse analizohet struktura se ku ndodhin këto investime, shohim se janë në sektorin e pasurive të patundshme dhe në ndërtimtari. Atëherë fare lehtë mund të dalim në përfundimin se bëhet fjalë për investime të pjestarëve të diasporës në sektorin e pasurive të patundshme. Rrjedhimisht nuk flasim për krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës. Megjithatë, Kosova ka nevojë që të tërheqë investime në sektorët të cilët krijojnë vende pune afatgjata dhe ndikojnë në zhvillimin e qendrueshëm ekonomik. Rrjedhimisht, në mungesë të një politike që çon përpara bashkëpunimin ekonomik rajonal, krijimin e një hapësire tregtare të përbashkët në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në këtë aspekt problemet politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, natyrisht që bëjnë të pamundur funksionimin e plotë të një ekonomie rajonale, ose të një bashkëpunimi ekonomik rajonal. Oda Amerikane vazhdimisht i bën thirrje qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë që të marrin me seriozitet përmbushjen e të gjitha detyrimeve, të cilat i kanë marrë përgjatë viteve përmes nënshkrimit të marrëveshjeve të shumta për normalizimin e raporteve”, ka deklaruar Zeka. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat