Kostoja e shportës mujore e papërballueshme për xhepin e qytetarëve

Ekonomi

Kostoja e shportës mujore e papërballueshme për xhepin e qytetarëve

Më: 15 maj 2023 Në ora: 08:55
Ilustrim

Çmimet e vajit, sheqerit, qumështit e miellit vazhdojnë të jenë të larta. Këto janë vetëm disa prej produkteve bazë të shportës së konsumatorëve të cilët me vështirësi se po e përballojnë këtë dukuri. Gjendjen e rënduar të tyre, sipas Shoqatës së Konsumatorëve, po e injoron qeveria.

Çmimet e produkteve bazë vazhdojnë të jenë të larta.

Kjo vërehet nga konsumatorët, pasi kostoja e shportës mujore po bëhet çdo herë e më e papërballueshme për ta.

Çmimet, sipas tyre kanë dallim të madh nga viti në vit.

“Shumë ma t’larta janë se qysh kanë qenë para dy-tre viteve”, shprehet qytetari Izet  Zhuja

“Janë shumë të larta po çka me ba qeshtu na ka ra fati me jetu këtu”, Ismet  Berisha qytetar

Kurse, Shaqir Baqaj shprehet se “Janë çmimet e nalta, shpresojmë që do të përmirësohet standardi, rrogat, se e di që nuk është lehtë”

Sipas Shoqatës së Konsumatorëve, Qeveria e Kosovës po e injoron xhepin e rënduar të qytetarëve.

“Nuk na njohin, na  injorojnë, na skllavërojnë, na zhvasin dhe nuk e ndjejnë dhembjen tonë kur ne kemi probleme me çmime, kur këto çmime na kanosen me inflacion, kur ky inflacion na godet edhe me paga të ulëta”, thotë Selatin Kaçaniku nga kjo shoqatë.

Madje, këto çmime po shihen si kontribut i qeverisë për ikjen e të rinjve nga vendi.

“Mendoj se është një kontribut për zbrazjen e Kosovës dhe kjo nuk bëhet pa qëllime politike dhe këtu duhet ta ketë përgjegjësinë Qeveria e Kosovës”,  thotë Florim Rrudhani – analist politik 

Mirëpo sipas ekonomistit Besnik Avdiaj, arsye e çmimeve të larta janë edhe manipulimet nga tregtarët.

“Arsyeja pse akoma vazhdojnë të jenë të larta lidhet me çmimet e furnizimit që i kanë pasur këta muajt e fundit, ku kemi pasur me të vërtetë një rritje drastike të çmimeve. Pastaj kemi raste të manipulimeve që i bëjnë tregtarët e ndryshëm me çmime, me sasinë e produkteve”, shprehet ai.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, produktet bazë kanë pasur një rritje për mbi 16 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat