​Harrohet zona ekonomike amerikane, Zeka: Kosova, partnere joserioze

Ekonomi

​Harrohet zona ekonomike amerikane, Zeka: Kosova, partnere joserioze

Më: 4 janar 2024 Në ora: 11:56
Arian Zeka

Për t’u hequr masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës të cilat po i sjellin dëme të mëdha vendit, institucionet duhet të tregohen më bashkëpunuese ndaj kërkesave nga komuniteti ndërkombëtar, pasi që duhet të dëshmohet se vendi është shtet serioz dhe që mund të mirëmbajë marrëdhënie ndërkombëtare edhe me shtetet tjera.

Kështu vlerëson drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka i cili kërkon nga qeveria të tregohet më e përkushtuar në takimet me përfaqësuesit e BE-së.

Në një intervistë për KosovaPress, Zeka kërkon nga institucionet të bëjnë më shumë në promovimin e potencialeve që ka vendi për tërheqjen e investitorëve të huaj. Derisa shton se investimet amerikane për periudhën janar-shtator 2023 janë rreth 50 milionë euro më origjinë nga ShBA-të.

Në anën tjetër, ai thotë se edhe vitin që lamë pas, fatkeqësisht qeveria nuk i ka dhënë prioritet zonës ekonomike amerikane. Kështu, ai thotë se Kosova paraqitet si partner joserioz qoftë para investitorëve amerikanë por edhe para partnerëve tjerë.

Ai konsideron se shteti ka dështuar në promovimin e potencialeve për investime të huaja në vend.

“Ne në Oden Amerikane pavarësisht rritjes së vëllimit të investimeve të huaja direkte përgjatë periudhës janar-shtator të këtij viti për të cilën tashmë kemi të dhëna, besojmë se duhet të bëhet shumë më tej në promovimin e potencialeve që Kosova i ofron për tërheqjen e investitorëve të huaj. Këto potenciale nuk janë thjesht pjesë e një diskursi i cili nuk bazohet diku, realisht ekzistojnë potenciale të shumta dhe nuk po arrijmë t’i materializojmë, kjo është fatkeqësi. Natyrisht njëra prej arsyejeve kryesore pse nuk arrijmë t’i tërheqim investimet e huaja direkte është pashmangshëm edhe çështja e hapur me Serbinë, tensionet dhe konfliktet e armatosura që kanë ndodhur kohë pas kohe gjatë vitit 2023 në pjesën veriore të vendit. Për të mos e normalizuar gjithë këtë çështje, ajo çfarë mungon në vend është njëfarë balancimi i diskursit... Por çfarë shtetet bëjnë në anën tjetër që këto situata të mos i ndëshkojnë kur vjen puna për tërheqjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik është që ata e balancojnë me një diskurs pozitiv, d.m.th promovim të investimeve, këtu ne po dështojmë. Po dështojmë, në rend të parë përgjegjësia rendon mbi institucionet e vendit, por natyrisht edhe mbi organizatat e tjera të cilat duhet t’i bashkohen njëfarë mënyrë promovimit të pozitivitetit edhe gjërave tjera pozitive që ky vend i ofron për investitorët, për turistet potencial”, thotë ai.

Duke folur për masat që Bashkimi Evropian i ka vendosur Kosovës tash e disa muaj, Zeka konsideron se ky është një dëm i madh për vendin, për çfarë thotë se institucionet e vendit duhet të tregohen më bashkëpunuese sa i përket kërkesave të komunitetit ndërkombëtar.

“Natyrisht pamundësia e institucioneve të vendit që të aplikojnë dhe përfitojnë nga këto instrumente financiare të para hyrjes, është një dëm jashtëzakonisht i madh. Ne kemi mjete të kufizuara buxhetore, edhe për investime infrastrukturore, por natyrisht edhe për ndërtim të kapaciteteve të shërbimit publik në përgjithësi. Kështu, secili cent, secili mjet shtesë të cilin ne jemi në gjendje ta observojmë, do të ishte jashtëzakonisht i mirëseardhur në rrethana ku buxheti i vendit është jashtëzakonisht i kufizuar. Uroj që institucionet e vendit tonë të tregohen më bashkëpunuese për sa i përket kërkesave që komuniteti ndërkombëtar i ka, edhe besoj që në anën tjetër nuk na leverdisë që ne të mundohemi t’i fshehim këto kërkesa, meqenëse të njëjtat janë aty dhe kohë pas kohe na rikujtohen nga zyrtaret më të lartë të BE-së ose edhe të ShBA-ve. Institucionet e këtij vendi, qeveritë e ndryshme përgjatë viteve kanë marrë përsipër zotime të cilat ne duhet t’i zbatojmë që të mund të tregojmë që jemi shtet serioz dhe që mund të hymë dhe të mirëmbajmë marrëdhënie ndërkombëtare edhe me shtetet tjera dhe institucione ose organizata ndërkombëtare tjera”, thotë Zeka.

Sipas tij, situata aktuale e sigurisë ka ndikuar tek investitorët e huaj që duan të investojnë në Kosovë. 

“Pashmangshëm nuk ka as edhe një sekret, qoftë nëse udhëtojmë në ShBA apo në shtete tjera të Azisë, kishim mundësinë që këtë vit të ishim me një grup të bizneseve që u mbajt në Singapor, dhe kishim edhe dy forume dialogimi, dhe bizneset e atyre vendeve kanë pak informata për Kosovën dhe pyesin se sa sigurtë realisht është ky promovimi që po ja bëjmë dhe si mund të rrezikohen investimet e tyre të mundshme. Nuk ka asnjë dilemë, por në përgjithësi edhe sikur të mos ishin tensionet dhe rasti i vrasjes së policit dhe konflikti i armatosur në pjesën veriore, Kosova në përgjithësi gëzon një profil të ulët kur bëhet fjalë për brendin e saj në fushën ndërkombëtare. Këtu nuk po bëjmë sa duhet, dhe nuk po e balancojmë atë diskursin negativ që ndërtohet në dhe përreth Kosovës”, vijon ai.

I pyetur për investimet direkte amerikane, tregtinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgjatë vitit të kaluar, ai thotë se vetëm për periudhën janar-shtator, janë rreth 47 milionë euro me origjinë nga ShBA-të.

“Nëse shohim totalin e investimeve nga periudha janar-shtator të vititi 2023 që është diku pak më pak se 613 milionë euro, diku rreth 47 milionë e kësaj shume janë më origjinë nga ShBA-të. Vitin 2022 realisht investimet amerikane janë renditur në vendin e 10 dhe vitin 2023 deri në fund të shtatorit renditen diku aty. Si përqindje është 7 për qind e totalit të investimeve të huaja që Kosova ka pranuar gjatë vitit 2022. Në dhjetor të viti 2022, në 3 mujorin e fundit ka pasur një rritje të menjëhershëm të investimeve amerikane. Presim që e njëjta të ndodhë edhe këtë vit, por shqetësimi kryesor mbeten sektorët ku bëhen këto investime. Sërish pas shumë viteve, ne me gjithë reformat që janë bërë në mjedisin e të bërit biznes, Kosova tërheq investime vetëm në sektorin e patundshmërive dhe ndërtimeve. Kjo nuk mjafton që ne të krijojmë një ekonomi të qëndrueshme dhe të krijojmë vende afatgjate të punës. Realisht hapja e impianteve prodhuese, industriale në vend është goxha e mangët përgjatë tërë vitit dhe sërish kjo na sjell tek kjo pasqyrë e investimeve të huaja të cilën e kemi", thotë Zeka. 

Ndërkaq, zonën ekonomike amerikane në Gjakovë, Zeka e quan fatkeqësi nga ana e qeverive që nuk e kanë marrë me prioritetjetësimin e saj. Ai thotë se qeveritë të cilat ndërrohen përgjatë viteve duhet pashmangshëm të vijojnë të zbatojnë politikat ose vendimet që janë marrë nga qeveritë paraprake.

“Për fatkeqësi është që megjithatë nuk është fare si prioritet, as nuk është përmend asnjëherë nga ana e kësaj qeverie, d.m.th prej periudhës së vitit 2021 e tutje, edhe pse gjithmonë ka zënë vend si njëri prej rekomandimeve të Odës Ekonomike Amerikane drejtuar Qeverisë. Ne nëse për hiç gjë, atëherë besojmë se vendimet e qeverive paraprake duhet të jetësohen, përndryshe Kosova paraqitet si partner joserioz qoftë para investitorëve potencial, në këtë rast amerikanëve, pra dhe para partnerëve tjerë. Qeveritë të cilat ndërrohen përgjatë viteve duhet pashmangshëm të vijojnë zbatojnë politikat ose vendimet që janë marrë nga qeveritë paraprake, përndryshe dalim jashtëzakonisht qesharak”, thotë Zeka.

Duke renditur sfidat në aspektin e zhvillimit të vendit, Zeka konsideron se shteti duhet të investojë më shumë në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, pasi sipas tij është më lehtë për bizneset në të bërit biznes.

“Si sfidë gjatë vitit 2023 është mungesa e investimeve kapitale, nuk është thjesht se sektori privat nuk arrin të ruaj qoftë qarkullimin, qoftë profitabilitetin, ky nuk është i vetmi problem. Ne nuk arrijmë të përmirësojmë infrastrukturën tonë rrugore, hekurudhore, për shkak të moszbatimit të investimeve kapitale të cilat janë planifikuar për këtë vit. Pastaj vinë problemet tek ndërmarrjet e sektorit privat të cilat humbin mundësi të zhvillimit dhe të rritjes së tyre”, thotë ai për KosovaPress.

Ndonëse Kosova ka rritjen më të lartë ekonomike në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, Zeka thotë se nevojiten vite e dekada që Kosova të arrijë në nivelin e rritjes ekonomike të shteteve të BE-së.

Krejt në fund, Zeka vlerëson se nevojitet një dialog i sinqertë ndërmjet sektorit privat dhe atij publik. Sipas tij, ka takime, mirëpo rekomandimet e sektorit privat rrallë merren parasysh, për çfarë kërkon më shumë mbështetje për këtë sektor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat