​Programi “Kompakt”, nënshkruhet marrëveshja për instalimin e sistemit e ruajtjes së energjisë përmes baterive

Ekonomi

​Programi “Kompakt”, nënshkruhet marrëveshja për instalimin e sistemit e ruajtjes së energjisë përmes baterive

Më: 26 janar 2024 Në ora: 20:16
Pamje nga vendi i ngjarjes

KOSTT dhe MCA Kosovë nënshkruan sot marrëveshjen për zbatimin e aktivitetit për instalimin e sistemit të ruajtjes të energjisë përmes baterive në kuadër të marrëveshjes “Kompakt” ndërmjet MCC-së dhe Kosovës.

Marrëveshja u nënshkrua nga kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it Evetar Zeqiri dhe kryeshefja ekzekutive e MCAKosovë Florina Duli Sefaj.

Marrëveshjen me subjektin zbatues të Programit “Kompakt” për instalimin e sistemit e ruajtjes së energjisë përmes baterive (BESS)është pjesë e një bashkëpunimi të ngushtë ndër vite në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Fondit të Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

MCC në kuadër të programit “Kompakt” synon instalimin e sistemit të ruajtjes së energjisë nëpërmjet baterive me kapacitet 170 MW apo 340 MWh, me një vlerë totale 180 milionë dollarë, ndërsa KOSTT pritet të përfitojë nga ky projekt bateri me kapacitetit prej 45 MW apo 90 MWh, në vlerë rreth 46.2 milionë dollarë.

Me zbatimin e kësaj marrëveshje, KOSTT merr përsipër përgjegjësinë për të mbështetur MCAKosovë për implementimin e projektit, i cili përfshin plotësimin e kushteve pararendëse, përgatitjen gjatë projektimit, si dhe mbikëqyrjen gjatë fazës së ndërtimit, komisionimit dhe energjizimit të projektit të BESS.

Kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it Evetar Zeqiri, tha se ky hap i rëndësishëm drejt tranzicionit energjetik kontribuon në rritjen e aftësive balancuese të KOSTT-it, sigurimin e shërbimeve ndihmëse në integrimin e Burimeve të Ripërtërishme të Energjisë dhe rrit sigurinë e furnizimit me energji elektrike në vend.

Ndërsa Florina Duli Sefaj, kryeshefe ekzekutive e MCAKosovë theksoi se kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm drejt një të ardhme të qëndrueshme dhe inovative për sektorin e energjisë në Kosovë, dhe është në funksion të mbështetjes për integrimin e burimeve të ripërtrishme, njëkohësisht duke kontribuar në përmbushjen e objektivave të Strategjisë së Energjisë së Kosovës dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve të saj.

Ajo njëkohësisht theksoi se kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm për zbatimin e programit “Kompakt” në tërësi.

MCA Kosovë në emër të Qeverisë së Kosovës do të ketë përgjegjësinë për zbatimin e këtij aktiviteti në bashkëpunim të ngushtë me KOSTT-in.

Ndryshe, programi “Kompakt”, i nënshkruar në korrik 2022 nga Kosova dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) në Uashington, pritet të forcojë pavarësinë energjetike të Kosovës dhe t'i kursejë shtetit miliona euro në vit.

“Kompakt” është në vlerë të përgjithshme 236.7 milionë dollarë dhe përqendrohet në projekte të energjisë. Ai përbëhet prej dy projektesh dhe konsiderohet si investimi më i madh i Qeverisë amerikane në Kosovë.

MCC synon përmes këtij programi të ulë varfërinë në Kosovë përmes rritjes ekonomike, pasi vlerësohet se furnizimi jo stabil energjetik pengon rritjen ekonomike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat