Gërxhaliu thotë se duhet të ndalet shtrenjtimi i rrymës

Ekonomi

Gërxhaliu thotë se duhet të ndalet shtrenjtimi i rrymës

Më: 18 mars 2025 Në ora: 09:16
Safet Gërxhaliu

Paralajmërimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për rritjen e çmimit të rrymës për 15 për qind është një goditje për qytetarët e Kosovës.

Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, tha se duke marrë parasysh rrethanat në Kosovë, nuk duhet të ketë rritje të çmimit të energjisë, por përkundrazi, duhet të ndalet shtrenjtimi i rrymës dhe të shtyhet ndryshimi i çmimit.

Ai shtoi për RTK-në se rritja e tarifave për 15 për qind do të jetë një barrë e rëndë për qytetarët e Kosovës.

Sipas Gërxhaliut, jo vetëm çmimi i energjisë elektrike po ndikon negativisht te qytetarët, por edhe rritja e çmimeve të produkteve të tjera.

Ai kërkoi që të shqyrtohen alternativa të ndryshme për të zbutur ndikimin ekonomik.

Gjithashtu, Gërxhaliu kërkoi ndërhyrjen e qeverisë për të menaxhuar inflacionin dhe për të shmangur dëmtimin e mëtejshëm të qytetarëve kosovarë.

Sipas tij, një problem shqetësues është fakti që Kosova ka importuar thëngjill, ndonëse është një nga vendet më të pasura me këtë burim natyror.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat