Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit thirrjen e saj për Qeverinë e Kosovës që të miratojë një aranzhim të njëanshëm preferencial tregtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke hequr tarifat doganore për produktet amerikane.
Oda Amerikane po ashtu mirëpret dhe mbështet fuqishëm deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, e cila i bëri jehonë thirrjes sonë duke kërkuar pezullimin e të gjitha tarifave për mallrat amerikane.
“Kjo thirrje thekson rëndësinë strategjike të thellimit të lidhjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara. Siç është thënë në deklaratën e djeshme të Odës Amerikane, një veprim i tillë do të ishte një hap i rëndësishëm, largpamës që tregon zotimin e Kosovës për tregti të lirë dhe të ndershme, duke e pozicionuar gjithashtu Kosovën drejt një marrëdhënie më të fortë tregtare dhe konsiderimin e mundshëm të një Marrëveshje për Tregti të Lirë në të ardhmen. Partneriteti disavjeçar me Shtetet e Bashkuara – si aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës – duhet të përkthehet në vendime të guximshme e në momente të duhura politike”, thuhet në komunikatën e OEAK, raporton KosovaPress.
Më tej thuhet se Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson se nismat që synojnë avancimin e marrëdhënieve SHBA-Kosovë, veçanërisht ato të bazuara në argumente të shëndosha ekonomike dhe vlera të përbashkëta, nuk duhet të bëhen objekt i polemikave të brendshme politike.
Po ashtu sipas OEAK thuhet se përkundrazi, ato kërkojnë unitet dhe veprim të shpejtë institucional, prandaj i bëjmë thirrje Qeverisë që të fokusohet në politikat që forcojnë partneritetin global dhe të ardhmen ekonomike të Kosovës.
Presidentja Vjosa Osmani dje ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga SHBA-ja, pasi kjo e fundit vendosi tarifën 10 për qind.
Osmani në një postim në X, ka thënë se kjo kërkesë bëhet për të dërguar mesazhin se Kosova është e gatshme për marrëdhënie më të fortë me SHBA-në, raporton KosovaPress.
Ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së shefes së shtetit Vjosa Osmani për heqjen e tarifave prej 10 për qind për produktet e SHBA-së, pasi kjo e fundit vendosi tarifën prej 10 për qind.
Ai ka thënë se tashmë kanë qenë duke e shqyrtuar këtë temë dhe kurdo që merret një vendim patjetër “që do t’ju njoftojmë me kohë”, raporton KosovaPress.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump, ka shpallur tarifa ndaj pothuajse dyqind vendeve botërore, të cilat do të hyjnë në fuqi më 5, përkatësisht 9 prill në mesnatë sipas kohës amerikane. Në mesin e vendeve që SHBA ka vendosur tarifa janë edhe Kosova e Shqipëria me nga 10 për qind.
Gjatë vitit 2024, sipas statistikave të Doganës së Kosovës, vendi ka shënuar eksporte me SHBA-në mbi 39 milionë e 176 mijë e 701 euro, derisa në tre muajt e parë 2025 vlera e eksportit është 5 milionë e 759 mijë e 490 euro.