Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) mbajti sot ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve numër shtatëdhjetedy përmes metodës së likuidimit dhe shpalli fituesit e përkohshëm për asetet e ndërmarrjeve shoqërore në dispozicion për shitje.
Për 77 asete në shitje u pranuan 57 oferta dhe vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 4 milionë e 356 mijë e 48 euro, raporton KosovaPress.
Të gjitha asetet në tender kishin çmimet orientuese, me çka Agjencia Kosovare e Privatizimit u ka dhënë ofertuesve një orientim të qartë për vlerën e aseteve dhe duke e bërë procesin e ofertës më të lehtë dhe më konkurrues, thuhet në njoftim.
Rezultatet e ofertave mund të gjinden në web faqen e AKP-së: www.pak-ks.org.
Agjencia Kosovare e Privatizimit është themeluar nga Kuvendi i Kosovës dhe është e shtrirë dhe vepron në të gjithë territorin e vendit. Ajo ka mandatin dhe autoritetin për shitjen ose bartjen e ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tyre tek investitorët privatë përmes një procesi transparent.