Pas denoncimeve të shumta dhe raportimeve të mediave për praninë e krimbave dhe parazitëve në peshkun e ngrirë që shitet në Kosovë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka dalë me një përgjigje zyrtare për këtë çështje.
Në përgjigjen dërguar lajmit, AUV konfirmon se në përputhje me vendimin e Gjykatës Komerciale në Prishtinë (Aktvendimi Nr. 2025:134825), po ndërmerren të gjitha masat për asgjësimin e 35,170 kilogramëve peshk të infektuar me parazitë.
“Në lidhje me këtë çështje, kemi edhe vendimin e Gjykatës Komerciale në Prishtinë – Dhoma e shkallës së dytë, sipas Aktvendimit Nr. të lëndës 2025:134825 me nr. dokumenti 07679680. Në përputhje me këtë vendim, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në bashkëpunim me kompaninë përkatëse, janë duke ndërmarrë përgatitjet për asgjësimin e 35,170 kilogramëve peshk, me qëllim garantimin e sigurisë shëndetësore të konsumatorëve dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare.
Ky proces është i domosdoshëm për mbrojtjen e shëndetit publik dhe ruajtjen e integritetit të tregut ushqimor në Kosovë. Gjithashtu, ju njoftojmë se sasia e lartëpërmendur e peshkut për asgjësim është aktualisht e bllokuar në depon e kompanisë dhe nuk është vënë në qarkullim në treg. Në momentin e asgjësimit AUV do të ju njoftoj.”, thuhet në përgjigjen e AUV..