Kusari-Lila në Bruksel prezanton investimet e Kosovës

Ekonomi

Kusari-Lila në Bruksel prezanton investimet e Kosovës

Nga: A.M. Më: 22 tetor 2026 Në ora: 22:57
Pamje nga takimi

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka prezantuar në Bruksel investimet e Kosovës në infrastrukturën teknologjike dhe industriale, si dhe skemat financiare për mbështetjen e bizneseve, start-up-eve dhe grave ndërmarrëse.

Kusari-Lila mori pjesë në Takimin Ministror të Platformës Drejtuese të Ballkanit Perëndimor për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin, të organizuar nga komisionerja evropiane për Start-up-et, Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin, Ekaterina Zaharieva.

Në këtë takim, ku Kosova u përfaqësua edhe nga zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, dhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe partnerët evropianë diskutuan për rolin e kërkimit shkencor dhe inovacionit në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e konkurrueshmërisë së rajonit.

Një nga rezultatet kryesore të takimit ishte miratimi i një deklarate të përbashkët ndërmjet Bashkimit Evropian dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor, përmes së cilës synohet forcimi i bashkëpunimit në kërkimin shkencor dhe inovacion, si dhe hartimi i një Plani të Përbashkët të Veprimit.

Komisionerja Ekaterina Zaharieva e vlerësoi deklaratën si një kapitull të ri në bashkëpunimin ndërmjet BE-së dhe rajonit, duke theksuar rëndësinë e avancimit të kërkimit shkencor dhe integrimit evropian.

Gjatë prezantimit të saj, ministrja Kusari-Lila vuri në pah potencialin e Kosovës për zhvillimin e mëtejshëm të ekosistemit të inovacionit, duke theksuar se sektori i shërbimeve ka bilanc pozitiv tregtar dhe mundësi për të kontribuar edhe më shumë në ekonominë e vendit.

Si shembull të investimeve në këtë drejtim, ajo përmendi 8 milionë euro të investuara nga shteti në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren (ITP). Krahas investimeve në infrastrukturë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit po mbështet bizneset përmes skemave financiare që synojnë zhvillimin e ndërmarrësisë dhe fuqizimin e sektorëve me potencial për rritje.

Për vitin 2026, mbështetja e paraparë financiare përfshin 1.9 milionë euro për 34 ndërmarrje dhe 15 start-up-e, 1 milion euro për 42 përfitues në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), 1.16 milionë euro për inovacionin në TIK, si dhe 1 milion euro për gratë ndërmarrëse.

Këto skema synojnë të krijojnë kushte më të favorshme për zhvillimin e bizneseve, duke u mundësuar ndërmarrësve që idetë e tyre inovative t’i shndërrojnë në produkte dhe shërbime konkurruese. Përmes kësaj mbështetjeje synohet gjithashtu nxitja e investimeve, krijimi i vendeve të reja të punës dhe rritja e potencialit eksportues të ekonomisë së Kosovës.

Në kuadër të aktivitetit u ndanë edhe çmimet për inovacion, me të cilat u vlerësuan inovatorë të rinj nga rajoni. Kosovën e përfaqësoi Arbnora Kllokoqi, themeluese e platformës “Mendje”, e cila përdor teknologjinë për të lehtësuar qasjen në shërbimet e shëndetit mendor, duke lidhur personat shqipfolës me psikologë të licencuar që kuptojnë gjuhën dhe kontekstin e tyre kulturor.

Takimi në Bruksel përfundoi me zotimin e përbashkët të pjesëmarrësve për zbatimin e objektivave të dakorduara dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal e evropian në kërkimin shkencor dhe inovacion.

Investimet në infrastrukturë dhe mbështetja financiare për bizneset përbëjnë pjesë të përpjekjeve të Kosovës për të zhvilluar një ekonomi më inovative dhe konkurruese, ndërsa bashkëpunimi me Bashkimin Evropian synon të krijojë mundësi të reja për ndërmarrësit dhe inovatorët e rinj të vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat