DHTIK kërkon zhbllokimin urgjent të procedurave për pronën publike

Ekonomi

DHTIK kërkon zhbllokimin urgjent të procedurave për pronën publike

Më: 25 shtator 2026 Në ora: 09:02
Fotoilustrim

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës ndërhyrje urgjente për eliminimin e pengesave administrative që, sipas saj, po bllokojnë bizneset dhe investimet në shfrytëzimin e pronës publike.

DHTIK i është drejtuar kryeministrit të Kosovës dhe ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me kërkesë për përshpejtimin e procedurave dhe ndryshimeve në Ligjin për Pronën Publike.

Dhoma shpreh shqetësimin për vonesat administrative, duke theksuar se ato po ndikojnë në aktivitetin ekonomik, investimet, vendet e punës, humbjen e tregut dhe sigurinë juridike të bizneseve.

Sipas DHTIK-së, Qeveria e Kosovës u ka dhënë dritën e gjelbër tri kompanive për shfrytëzimin e pronës publike, por ato ende nuk kanë mundur të fillojnë aktivitetin. Arsyeja, sipas Dhomës, lidhet me kushtëzimin e kontratave nga Agjencia e Pyjeve të Kosovës me përfundimin e procedurës për ndërrimin e destinimit të tokës.

DHTIK vlerëson se kjo procedurë është dashur të përfundojë para nënshkrimit të kontratave, në mënyrë që kompanitë të mos përballeshin me pengesa të tjera administrative pasi kanë fituar të drejtën për shfrytëzimin e pronës.

Dhoma thekson se mosfinalizimi i procedurave ka pamundësuar edhe vazhdimin e procesit për marrjen e lejeve të nevojshme pranë Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

Një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga DHTIK është kompleksiteti i procedurave dhe përfshirja e një numri të madh institucionesh. Sipas saj, për shkak të burokracisë, një biznes mund të presë pothuajse një vit për përfundimin e procedurave për marrjen e lejes për shfrytëzimin e pronës publike.

“Janë me qindra kërkesa të deponuara prej kohësh në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, të cilat vazhdojnë të mos përcillen në Zyrën për Administrimin e Pronës Publike për trajtim të mëtejshëm”, thuhet në reagimin e DHTIK-së.

Dhoma e lidh këtë situatë edhe me rritjen e importit të zhavorrit. Duke iu referuar të dhënave të Doganës së Kosovës, DHTIK thotë se importi i këtij materiali ka shënuar rritje të vazhdueshme, ndërsa Serbia prin ndër vendet prej nga importohet zhavorri.

Sipas DHTIK-së, vonesat në aktivizimin e kapaciteteve vendore ndikojnë drejtpërdrejt në kostot e kompanive dhe realizimin e projekteve e investimeve.

Për këtë arsye, Dhoma kërkon rishikim tërësor të procedurave, eliminimin e burokracisë së panevojshme, reduktimin e numrit të institucioneve të përfshira dhe shkurtimin e afateve për trajtimin e kërkesave.

DHTIK e konsideron urgjente edhe përfundimin e ndryshimeve në Ligjin për Pronën Publike, si dhe krijimin e një mekanizmi të qartë për koordinimin ndërinstitucional.

Sipas Dhomës, për secilin institucion duhet të përcaktohen afate të qarta për trajtimin e kërkesave, me synim krijimin e një kuadri më efikas dhe më të parashikueshëm për bizneset dhe investitorët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat