Kryetari i Shoqatës së Ndërtimit në Kosovë (SHNK), Valon Vataj, deklaron se sektori i ndërtimtarisë në vend po përballet me krizë të thellë, si pasojë e mungesës së fuqisë blerëse, vështirësive në financimin e projekteve dhe pasigurisë institucionale.
Në një intervistë për podkastin “Ekonomia pa Filtra” të KosovaPress-it, Vataj thotë se shumë projekte ndërtimore, veçanërisht në Prishtinë, kanë ngecur për shkak të vëllimit të madh të ndërtimeve dhe mungesës së financimit.
Sipas tij, një ndër faktorët që ndikon në rritjen e çmimeve të banesave është shtrenjtimi i materialeve ndërtimore, të cilat në masë të madhe importohen, rritja e çmimit të derivateve, kostot e transportit, çmimi i tokës dhe mungesa e fuqisë punëtore.
Vataj bën të ditur se në disa pozicione të sektorit të ndërtimit, rritja e çmimeve ka arritur deri në 150 për qind.
Vataj: Sektori i ndërtimit është me një krizë jashtëzakonisht të madhe
“Sektori i ndërtimit është me një krizë jashtëzakonisht të madhe, duke pasur parasysh mungesa fuqisë blerëse edhe mungesa e financimit të projekteve. Ka shumë projekte të cilat janë me një sasi vuliminoze sa i përket metrit katror dhe kjo bën që disa, shumica e projekteve sidomos në Prishtinë, kanë hasur në ngecje. Dhe kjo vjen edhe si rezultati i situatës politike të cilën Kosovën e ka përshkuar për dy vite, pasigurisë institucionale në këtë rast dhe, sasia e madhe e ndërtimit që po bëhet në Kosovë. Dhe kjo bën që sektori i ndërtimit, i cili është shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik në Kosovë, është çdo ditë thellohet në krizë dhe kjo është një lajm jo i mirë për gjithë sektorin e ndërtimit”, thotë Vataj.
Ai ka thekson se në rritjen e kostove kanë ndikuar disa faktorë, duke përfshirë importin e materialeve ndërtimore, shtrenjtimin e derivateve dhe mungesën e punëtorëve.
Vataj: Disa pozicione në ndërtim janë shtrenjtuar deri në 150 për qind, rritja pritet të vazhdojë
“Sa i përket çmimit të ndërtimit, kanë ndikuar shumë faktorë, pjesa dërrmuese e materialeve ndërtimore, ne i kemi të importuara në Kosovë dhe kjo ka bërë që çmimet me u rritë sa i përket materialeve ndërtimore, kuptohet te rritja e çmimit të derivateve dhe kjo ka ndikuar në rritjen e kostos së transportit të mallrave që ndikon drejtpërdrejt në çmimin e materialit ndërtimor. Një faktor tjetër është edhe rritja e çmimit të pronave, i cili është çmim i pajustifikueshëm, mirëpo një prej faktorëve kryesorë është edhe mungesa e fuqisë punëtore...11:03 Në qoftë se i referohemi statistikave të entit të statistikave ose ASK-së, atëherë del që rritja nuk është, ajo rritje që është rritje reale, duke pasur parasysh sigurisht ndoshta edhe informaliteti është pjesë e një kontributi që nuk mund të nxirren statistika reale, mirëpo ka produkte ose ka pozicione në fushën e ndërtimit, rritje deri në 150 për qind. Këtu ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve dhe jam i bindur që këto rritje do të vazhdojnë...Nuk besoj (se do të ketë stabilizim të çmimeve)”, nënvizon Vataj.
Sa i përket tregut të banesave, Vataj vlereson se Prizreni është një nga qytetet me krizën më të madhe në shitblerjen e pronave.
Vataj: Prizreni po përballet me krizën më të madhe në shitjen e banesave
“Pa dyshim është Prizreni. Prizreni është një prej qyteteve i cili ka evoluar me ndërtim edhe kjo është një sfidë në vete. Prizreni është një prej vendeve më me krizë sa i përket punës së shitjes së banesave, duke pasur parasysh edhe interesimin për blerje. Interesimi i Prizrenit është qytetet për rreth Prizrenit, ndërsa Prishtina ka fuqinë blerëse më të madhe se Kosova. Kemi edhe Preshevën, Medvegjen. Bojanovci, kemi Shkupi, kemi edhe nga nga shtetet e tjera që blejnë e të pasur parasysh që domethënë fuqia e blerjes është më e vogël, ndërsa kantierët në Prizren janë jashtëzakonisht të mëdha. Kjo e ka dhënë indikacionin që kriza më e madhe për shitblerje për momentin është Prizreni”, thotë Vataj.
Ndërkaq, lidhur me ndikimin e diasporës në tregun e patundshmërive, Vataj potencon se kërkesa për blerjen e banesave individuale nga bashkatdhetarët ka filluar të bjerë.
Vataj: Bie interesi i diasporës për blerjen e banesave, investimet po orientohen në sektorë të tjerë
“Diaspora ka ndikuar deri më tani, mirëpo fuqia blerëse e mënyrës, si ka qenë në të kaluarën, blerjet e banesave individuale, tash ka nisë me ra, sepse është plotësuar ajo nevoja që kanë pasur nevojat personale, familjare. Tash ka nisë edhe koncentrimi në investimet dhe në sektorët tjerë, në industrinë e metalit. Investitorët që po vijnë nga diaspora, më shumë janë tash që po investojnë në projekte, po investojnë në fabrika. Remitencat që kanë shkuar në vlerën 1.4 miliardë, një pjesë tyre kuptohet që është depozita bankare, pjesa tjetër është e fokusuar me projektet e mëdha. Është projekte me solarë, projekte ndërtim, industri e gjithandej. Sa i përket blerjes së banesave individuale ka kaluar, blerja e banesave dhe pronave në Kosovë nga bashkëatdhetarët ka kaluar nëpër disa etapa”, thekson Vataj.
Në anën tjetër, Vataj shprehet i shqetësuar për procedurat e pajisjes me leje ndërtimore, i cili thotë se mungesa e standardizimit të rregullave nga një komunë në tjetrën dhe vonesat institucionale po pengojnë realizimin e projekteve.
Sipas tij, në Prishtinë për katër muaj nuk është lëshuar asnjë leje ndërtimore, ndërsa në Kosovë janë mbi 330 mijë ndërtime pa leje.
Vataj: Mbi 330 mijë ndërtime pa leje në Kosovë, mungon vullneti institucional
“Problemi në Kosovë që nuk është e normalizuar sa i përket rregullave nga komuna në komunë. Kemi rregulla të tjera, kemi çmime të tjera të lejeve ndërtimore në Prizren, kemi të tjera në Prishtinë, kemi standarde të dyfishta. Ligji ekziston, mirëpo problemi është, që në këtë rast komuna e Prishtinës, deri së fundi, kur gjykata ka vendosur me e hedh poshtë kolegjiumin që ka bërë komuna e Prishtinës për çdo kompleks mbi 5 mijë metra katrorë, duhet me kaluar përmes kolegjiumit. Ne kemi rast së fundi Prishtina që katër muaj nuk ka lëshuar asnjë leje ndërtimore, mungesa e kompletimit të kolegjiumit. Kjo, sipas gjykatës, ka rezultuar që është e kundërligjshme...Ndërtime pa leje në Kosovë janë mbi 300 e 30 mijë. Kjo është si mungesë e vullnetit politik. Njëri prej bllokimeve më të mëdha kapitale që po ndodh në Kosovë. E gjitha është si rezultat i mungesës së vullnetit institucional”, thotë ai.
Përveç kësaj, Vataj kritikon edhe vonesat në hartat zonale, duke thënë se procesi për plotësimin dhe ndryshimin e legjislacionit përkatës ka nisur në vitin 2013 dhe ende nuk është përmbyllur.
Vataj: Pas 13 vjetësh, Kosova ende nuk i ka të miratuara hartat zonale
“Fillimisht, problemet kryesore , harta zonale është njëri prej problemeve kryesore që nuk na jep hapësirë edhe me zhvillimin e turizmit malor. Hartat zonale, plotësim-ndryshimi i ligjit ka filluar qysh në vitin 2013 dhe jemi në 2026, edhe kjo është si rezultat i mungesës së vullnetit politik, po ka pasur edhe, favorizime në këtë punë në shumë qytete, jo veç në Prishtinë, me shumë qytete, ka pasur favorizime, tani ka pasur edhe pengesa institucionale, kuptohet, ministria e mjedisit e ka pezulluar apo ministria e administratës publike, apo, inatet politike, të gjitha këto kanë ndikuar. Pas 13 vite nuk i kemi bazën ligjore, nuk i kemi të zgjedhur. Harta zonale neve na i japin atë pasqyrën se ka po shkon ndërtimi edhe e shohim, ata në vizualë qysh kish me u duk Prishtina për 10 vitet e ardhshme”, deklaron Vataj.
Ndërkaq, sa i përket efiçiencës së energjisë në objektet e reja, Vataj thotë se në Kosovë mungojnë subvencionet për investitorët që ndërtojnë objekte me standarde më të larta të efiçiencës energjetike.