Franku zviceran pati muajin më të fortë që nga viti 2021. Sipas analizës së IG Schweiz, në tetor euroja humbi 3,1 për qind të vlerës ndaj frankut. Kjo është rënia më e madhe mujore e kursit EUR/CHF në pesë vitet e fundit.
Më 2 nëntor, rreth mesditës, një euro këmbehej për rreth 0,92 franga. Euroja ka humbur më shumë se gjysmën e rritjes që kishte bërë nga niveli më i ulët prej 0,8981 deri në kulmin e shtatorit, 0,9487 franga.
Sipas analizës, franku po forcohet si “strehë e sigurt” kryesisht për shkak të shqetësimeve për financat publike të Francës dhe pasigurisë politike para zgjedhjeve presidenciale të 2027-s. Për lëvizjet e mëtejshme do të jenë vendimtare edhe vendimet e normave të interesit të Bankës Kombëtare Zvicerane dhe të Bankës Qendrore Evropiane.
Për diasporën shqiptare në Zvicër kjo ka efekt të drejtpërdrejtë. Me të njëjtën shumë në franga, paratë që dërgohen në Kosovë, Shqipëri apo Maqedoni të Veriut, ku përdoret ose euroja ose monedha të lidhura me të, kanë më shumë vlerë. Edhe blerjet dhe pushimet në zonën e euros dalin më lirë për ata që fitojnë në franga.