VOA: Ulqini, qyteti me numrin më të lartë të të infektuarve me COVID-19 në Mal të Zi

Evropë

VOA: Ulqini, qyteti me numrin më të lartë të të infektuarve me COVID-19 në Mal të Zi

Më: 7 mars 2021 Në ora: 20:29
Ulqin

Si pasojë e numrit të madh të të infektuarve me COVID-19 si dhe rritja e numrit të viktimave qyteti bregdetar i Ulqinit është mbyllur tërësisht.

Shtabi Komunal theksoi se Komuna e Ulqinit ka numrin më të lartë të të infektuarve për kokë banori në Mal të Zi dhe se masat e ndërmarra janë tejet të rëndësishme për shpëtimin e sezonit të ardhshëm turistik.

Këto ditë në Komunën e Ulqinit është shënuar një rritje e madhe të numrit të personave të infektuar me COVID-19 si dhe raste të shumta të viktimave. Shtabi Komunal i Emergjencave, vuri në dukje, në një konferencë me gazetarë se Komuna e Ulqinit është komuna me numrin më të lartë të të infektuarve për kokë banori në Mal të Zi dhe kjo situatë bëri që ky qytet bregdetar të mbyllet tërësisht. Nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Astrit Hoxha tha se vet komuna ka kërkuar nag Ministria e Shëndetësisë një mbyllje të këtillë.

“I jemi drejtuar qeverisë së Malit të Zi me shkresë për mbylljen dy javore të qytetit tonë. Qëllimi i parë ka qenë që të mbyllen shkollat, objektet që deri më tani kanë ushtruar veprimtarinë e tyre siç janë palestrat sportive, bastoret, sallonet e parukerisë etj. Një gjë të këtillë e kërkonin edhe prindërit që kërkonin ti mbyllin shkollat. Ne bile kemi kërkuar që mbyllja të bëhet nga ora 17.00, por nuk u aprovua nga Instituti i Shëndetit Publik, i cili u përcaktua për orën 21.00”, tha zoti Hoxha.

Policia Komunale së bashku me atë të Shtetit janë duke vepruar në terren ku nuk mungojnë as paditë ndaj qytetarëve që nuk i respektojnë masat kundër pandemisë. Shefi i Policisë Komunale, Milazim Mustafaj thekson rëndësinë e respektimit të masave në fuqi.

“Nuk do të ketë më tolerancë, por menjëherë do të merren masat dhe sanksionet. Megjithatë, policia komunale dhe ajo e shtetit nuk munden vetëm ta tejkalojnë këtë situatë pa ndihmën e qytetarëve”, tha zoti Mustafaj dhe bëri apel që të respektohen me përpikëri masat e vendosura nga qeveria malazeze.

Respektimi i masave është tejet i rëndësishëm për shpresën që sezoni i ardhshëm turistik të jetë i suksesshëm.

“Edhe një muaj e gjysmë deri dy muaj nis sezoni turistik. Qyteti i Ulqinit dhe të gjithë qytetarët e tij nuk mundet ta përballojë edhe një dështim të sezonit turistik siç ndodhi vitin e kaluar” , tha nënkryetari i Astrit Hoxha.

Zyrtarët vendorë besojnë se këto masa janë të domosdoshme për shëndetin publik duke ditur se kjo mbyllje do të jetë një goditje e madhe ekonomike për Komunën e Ulqinit. /VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat