Vrasja e mësuesit në Francë/ 13 vjeçarja pranon para gjykatës se ka gënjyer

Evropë

Vrasja e mësuesit në Francë/ 13 vjeçarja pranon para gjykatës se ka gënjyer

Më: 13 mars 2021 Në ora: 16:29
Foto

Vrasja e mësuesit Samuel Paty prej një islamisti në Paris e ka zanafillën tek gënjeshtra e një 13-vjeçareje.

Sipas gazetës franceze “Le Parisien” nxënësja ka pohuar përpara gjykatës trillimin e saj, vetëm që të justifikohej përpara të atit përse e kishin përjashtuar dy ditë nga shkolla.

Ajo e kishte gënjyer babanë duke sajuar historinë se kishte qenë Paty që e kishte përjashtuar për dy ditë për thyerje disipline, gjoja sepse ajo kishte protestuar kur ai tregoi në klasë karikaturat e Mohamedit nga revista Charlie Hebdo. Vajza tani pranon se masa disiplinore nuk kishte pasur asnjë lidhje me karikaturat e Mohamedit.

E reja e identifikuar vetëm si Z. tha se atë ditë nuk kishte qenë fare në klasë, dhe se e kishte sajuar historinë, pasi shoqet i kishin thënë se mësuesi Samuel Paty i kishte treguar klasës karikaturat në fjalë. Ajo ishte betuar para të atit se historia është e vërtetë dhe se mësuesit Samuel Paty diskriminon myslimanët.

Pas kësaj ai jo vetëm ngriti padi në polici kundër mësuesit Samuel Paty, por publikoi edhe në internet një video ku shprehej me urrejtje ndaj mësuesit dhe përmendte emrin e tij dhe shkollën në Conflans në veriperëndim të Parisit, ku ai jepte mësim. Dhjetë ditë më vonë, një islamist i ri i preu kokën mësuesit gjatë rrugës për në shtëpi.

Drejtësia tani ka nisur një hetim ndaj nxënëses për shpifje. Avokati i 13-vjeçares, Mbeko Tabula, po përpiqet ta relativizojë përgjegjësinë e saj duke thënë se ajo kurrë nuk e kishte imagjinuar se gënjeshtra e saj mund të sillte pasoja të tilla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat