Mjeku që bindi Norvegjinë të mos marrë vaksinat AstraZeneca: Nuk jam paguar nga Pfizer

Evropë

Mjeku që bindi Norvegjinë të mos marrë vaksinat AstraZeneca: Nuk jam paguar nga Pfizer

Më: 1 maj 2021 Në ora: 15:34
Mjeku që bindi Norvegjinë

“Si mjek, do të raportoja për ngjarjet me efekte anësore shkatërruese, pavarësisht se për cilën kompani bëhet fjalë, jam thjesht një mjek që përpiqet të ndihmojë njerëzit. Më shumë njerëz të rinj do të vdesin nga vaksina AstraZeneca se sa nga infeksioni COVID-19”.

Kështu është deklaruar në një përgjigje me shkrim, profesori dhe kryemjeku në spitalin Universitar të Oslos, Pål Andre Holme, i cili ka hipotezuar një lidhje midis vaksinës AstraZeneca dhe rasteve të rralla të trombozës.

Pikërisht për shkak të gjetjeve të Holme, autoritetet shëndetësore të Norvegjisë, vendosën që t’i kthejnë prapa dozat e AstraZenecas, duke mos lejuar injektimin e tyre.

Ai ka pohuar se gjetja e tij për ndërlidhjen e vaksinës AstraZeneca me mpiksjen e gjakut e bëri të njohur globalisht, pasi “isha i pari në botë që e kuptova lidhjen e efektit të dëmshëm të rëndë dhe shkatërrues të vaksinës AstraZeneca në Norvegji”.

Kur pyetet se si qëndron e vërteta e raportimeve nga mediat norvegjeze, nëse ai kishte marrë transferime parash nga konkurrentë të rëndësishëm të AstraZeneca-s, sic është kompania Pfizer, nga e cila thuhet se është paguar me rreth një milion krona norvegjeze (rreth 100 mijë euro), Holme e ka mohuar një gjë të tillë.

“Nuk kam asnjë interes financiar nga ndonjë kompani në lidhje me vaksinat. Por po, unë jam udhëheqësi kryesor i opinionit në botë në lidhje me çrregullimet e gjakderdhjes, ku kam shumë ndërveprim edhe me kompaninë Pfizer por jo edhe në këtë fushë të vaksinave, kurrë nuk kam punuar atje”, është deklaruar ai.

Tutje, në revistën e mjekësisë “The New England Journal of Medicine”, ku pjesë e saj është edhe shkencëtari Holme, tregohet për disa raste të personave të diagnostikuar me trombozë.

Sipas kësaj reviste, thuhet se janë nxjerrë në pah tre përshkrime të pavarura të 39 personave, me një sindromë e cila karakterizohet nga tromboza dhe trombocitopeni (sëmundje e gjakut e shkaktuar nga prania e paktë e trombociteve (pllakave të gjakut), që u zhvillua pesë deri në 24 ditë pas vaksinimit fillestar me AstraZeneca.

“Tre deri në pesë nga këta persona ishin të shëndetshëm dhe shumë pak dihej që kishin trombozë të mëparshme. Shumica e pacientëve të përfshirë në këto raporte ishin gra më të reja se 50 vjeç, disa prej të cilave po merrnin terapi të zëvendësimit të estrogjenit ose kontraceptivëve”, shkruhet në revistë.

Referuar kësaj reviste, vaksina AstraZeneca “shkakton një mpiksje të pazakontë dhe jo normale, gjë që ka rezultuar me vdekje në disa raste”.

Por, gjetjet e mjekut norvegjezë nuk janë problemet e vetme të kompanisë britanike të vaksinave.

Derisa Norvegjia refuzoi vaksinat, Komisioni Evropian është duke u përgatitur të fillojë një proces gjyqësor kundër AstraZeneca për arsye se dështoi t’ia sigurojë BE-së numrin e dozave të premtuara më herët.

Kjo çështje është ngritur në një takim të ambasadorëve, gjatë të cilës “shumica e vendeve të Bashkimi Evropian kanë thënë se do të mbështesin padinë kundër kompanisë për shkak të ankesave që ajo nuk dorëzoi dozat e premtuara të vaksinave në Bashkimin Evropian”. Thuhet në një artikull të Politicos.

“Qëllimi i procesit gjyqësor është ta detyrojë AstraZenecan të sigurojë dozat e parashikuara në marrëveshjen me BE-në”, raporton kjo media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat