Ministri italian: Lënia e Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së do të ishte miopi politike

Evropë

Ministri italian: Lënia e Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së do të ishte miopi politike

Më: 19 maj 2021 Në ora: 17:03
Luigi Di Maio

Lënia e Ballkanit Perëndimor jashtë BE do të ishte një miopi politike e pajustifikuar dhe Italia do të jetë në ballë për ta parandaluar që kjo të ndodhë, deklaroi në një intervistë ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio.

Di Maio mbron qëllimin ambicioz të hyrjes së të gjitha vendeve të Ballkanit në BE dhe  i përcakton vonesat e mëtejshme në negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut si të papranueshme.

“Vendet në rajon përballen me sfida komplekse, por të domosdoshme. Secili do të përfundojë rrugën sipas aftësive të tij, por është thelbësore që të gjithë të arrijnë këtë qëllim strategjik”, thotë shefi i diplomacisë italiane, duke komentuar idenë, të evokuar nga presidenti slloven Borut Pahor, për një zgjerim të BE në të gjithë Ballkanin Perëndimor në të njëjtën kohë.

“Në Bruksel të gjithë kemi ndarë idenë që BE nuk mund ta shikojë Ballkanin Perëndimor thjesht si një nga rajonet në fqinjësinë e saj”, shtoi ai.

”Lënia e këtyre vendeve jashtë BE-së do të ishte një gabim me rëndësi historike, një miopi politike e pajustifikuar që do të favorizonte aktorë në çështje jo domosdoshmërisht të interesuara për integrimin e plotë të rajonit në Bashkimin Europian”, shtoi ai.

“Në dialogun Serbi-Kosovë status quo-ja nuk i bën dobi askujt: përkundrazi, e lë derën të hapur për tensione dhe akuza reciproke të cilat përfundojnë të kenë një ndikim negativ në të gjithë rajonin. Kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë të inkurajojmë të dy palët të punojnë në një frymë konstruktive përmes dialogut të lehtësuar nga BE në mënyrë që të arrihet në një zgjidhje përfundimtare”, theksoi Di Maio.

”Sot kemi të rinj në rajon që po ‘bërtasin’ për të hyrë në Europë dhe atyre duhet t’u përgjigjemi pozitivisht”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat