Britanikët ligj për lobimin/ Zyrtarëve të lartë do t’u ndalohet për 5 vjet pas detyrës

Evropë

Britanikët ligj për lobimin/ Zyrtarëve të lartë do t’u ndalohet për 5 vjet pas detyrës

Më: 13 qershor 2021 Në ora: 17:50
Foto ilustrim

Falimentimi i një kompanie financiare në Londër, në mars, solli që gjatë hetimeve të dilnin edhe emra politikanësh të lartë të përfshirë. Sipas medieve britanike, ligjvënësit po përgatisin një ligj për të ndaluar lobimet për 5 vjet për ministrat që lënë detyrën, dhe do të forcojnë ligjet kundër korrupsionit.

Skandali me kompaninë e konsulencës financiare Greensill në Londër, ka sjellë reagime të forta nga politikanët dhe qytetarët britanik. Shpallja e falimentit të kësaj kompanie më 8 mars të 2021-shit, sipas Kevin Hollinrake, deputet konservator, ka cënuar bizneset dhe qytetarët britanikë.

Këtë javë pritet që Lordi Jonathan Evans të propozojë një rishikim urgjent të kushteve të lobimit në Mbretërinë e Bashkuar. Mediet britanike shkruajnë se rregullat e reja parashikojnë se ministrat do të ndalohen që të lobojnë për pesë vjet pasi kanë lënë detyrën dhe do të ketë gjoba nëse autoritetet vërejnë shkelje të rregullave. 

Organizatat kundër korrupsionit në Mbretërinë e Bashkuar i cilësojnë masa të këtilla të domosdoshme. Sipas medieve britanike, një emër që përmendet në sagën Greensill është edhe ish-kryeministri David Cameron, akuza të cilat ai i ka mohuar. Ndërhyrjet e tij, mesazhet dhe e-mailet e dërguara te figura të rëndësishme politike në vend kanë shkaktuar zemërim te qytetarët britanikë.

Mediet britanike shkruajnë se ligji i ri kundër lobimit dhe forcimi i masave anti-korrupsion do t’i mbrojë më mirë qytetarët dhe do të parandalojë ish-ministrat që të përdorin kontaktet dhe ekspertizën e tyre për përfitime personale.

Edhe ish-shefi i shërbimit sekret britanik MI5, Jonathan Evans, thotë se rregullat duhen rishkruar dhe nevojitet transparencë më e madhe nga zyrtarët e lartë.

Mediet britanike shkruajnë se me ligjin e ri, qeveria do të detyrohet të njoftojë detaje të lobimeve të ndryshme çdo muaj, jo çdo tre muaj që është tani, si dhe do të shihen rregullat e emërimeve nëpër institucione që të parandalohet nepotizmi, ku politikanët i bëjnë ndere "miqve" të tyre me poste publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat