Italianët mund të votojnë vitin e ardhshëm për legalizimin, ose jo të eutanazisë, pas një peticioni me 750 mijë nënshkrime që kërkon mbajtjen e një referendumi për këtë temë të kundërshtuar fort nga Vatikani.
Sipas ligjeve vendas, për organizimin e një referendumi duhet 500 mijë firma dhe me 250 mijë vota mbi kufirin minimal ligjor, një referendum mund të thirret vitin e ardhshëm për të miratuar, ose jo një kuadër ligjor për “vdekjen e asistuar”.
“Sot, pa një ligj që ta rregullojë atë, eutanazia nuk është një e drejtë që mund të gëzojë kushdo”, deklaroi shkrimtari dhe gazetari italian, Roberto Saviano.
Saviano iu referuar faktit se shumë italianë i drejtohen Zvicrës për t’iu nënshtruar eutanazisë.
“Nënshkrova këtë peticion për t’u dhënë një mundësi zgjedhjeje të lirë atyre që e kanë të pamundur që të udhëtojnë në vende ku lejohet eutanazia”, shtoi ai.
Me ligjet në fuqi në Itali, kushdo që ndihmon dikë tjetër për të vrarë veten mund të ndëshkohet me burg nga pesë deri në 12 vite. Rruga për eutanazinë u hap nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2019, që ndalon zbatimin e ligjeve aktuale ndaj personave që “ndihmojnë” të vetëvriten pacientë që mbahen gjallë përmes aparaturave, apo të prekur nga sëmundje të pashërueshme që shkaktojnë dhimbje e vuajtje fizike e psikologjike të padurueshme”.
Peticioni është kundërshtuar nga konservatorët dhe kisha, që e cilësuan atë “fushatë marketingu për kulturën e vdekjes”.