Turisti francez burgoset në Iran me akuza për spiunazh

Evropë

Turisti francez burgoset në Iran me akuza për spiunazh

Më: 26 janar 2022 Në ora: 07:41
Benjamin Brière

Një turist francez është dënuar me tetë vjet burg për spiunazh nga një gjykatë në Iran, tha avokati i tij në Paris. Benjamin Brière, 36 vjeç, u arrestua në maj 2020 pasi ngriti një dron pranë kufirit Iran-Turkmenistan. Ministria e Jashtme e Francës e quajti dënimin e tij “të papranueshëm” dhe tha se “nuk kishte asnjë bazë në fakt”. Një avokat i zotit Brière, Philippe Valent tha se klienti i tij ishte bërë “gjithnjë e më i dobët” nga një grevë urie që ai filloi në dhjetor.

Ai “nuk pati një gjykim të drejtë përpara gjyqtarëve të paanshëm”, u citua të thoshte avokati nga agjencia e lajmeve “AFP”. Brière u gjykua me dyer të mbyllura në Gjykatën Revolucionare në qytetin lindor të Mashhad. Avokati tha se klienti i tij nuk ishte plotësisht i informuar për akuzat kundër tij. Ai tha se ishte burgosur edhe për tetë muaj shtesë për propagandë kundër sistemit islamik iranian. Familja e Brière ka këmbëngulur se ai është i pafajshëm dhe thotë se ai po përdoret si një peng politik.

Brière u arrestua gjatë pushimeve në Iran, tha Ministria e Jashtme franceze. Ai është një prej shtetasve të huaj ose personave me shtetësi të dyfishtë iraniane që mbahen në Iran, megjithëse është i vetmi i burgosur perëndimor i njohur që nuk ka gjithashtu një pasaportë iraniane. Rasti i tij vjen në një kohë të tensioneve të rritura midis Iranit dhe fuqive perëndimore, në mosmarrëveshje për programin bërthamor të Iranit raporton “BBC”.

Irani dhe Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe kanë zhvilluar bisedime në Vjenë për disa muaj që synojnë rivendosjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare për të frenuar aktivitetet bërthamore të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike, një marrëveshje e cila u shpërbë pasi SHBA tërhoqi mbështetjen e saj në 2018. Bisedimet deri më tani kanë qenë jopërfundimtare, ku secila palë paralajmëroi se negociatave po i mbaron koha. Fuqitë e huaja thonë se nuk janë të bindura nga pohimi i Iranit se programi i tij bërthamor është për qëllime thjesht paqësore dhe jo për ndërtimin e një bombe.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat