Diplomatët lëshuan sallën gjatë fjalimit të Lavrov, Parlamenti Evropian voton pro pranimit të Ukrainës si vend kandidat

Evropë

Diplomatët lëshuan sallën gjatë fjalimit të Lavrov, Parlamenti Evropian voton pro pranimit të Ukrainës si vend kandidat

Më: 1 mars 2022 Në ora: 12:48
Foto nga Parlamenti Evropian

(E plotësuar 19:23) - Parlamenti Evropian ka votuar pro pranimit të Ukrainës si vend kandidat në BE.

Nga 676 vota në total, pro pranimit të Ukrainës ishin 637 vende, 13 refuzuan ndërsa abstenuan 26 të tjera.

Kujtojmë se aplikimi i Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian erdhi dje, ku presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski nënshkroi dokumentin e aplikimit.

Image
Votimi

Parlamenti Evropian me ovacion mirëpret aplikimin e Ukrainës: Tek ne gjeni një aleat, një mik 

Parlamenti Evropian ka mirëpritur aplikacionin e Ukrainës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Rezoluta jonë qartë mirëpret aplikimin e Ukrainës për statusin kandidat. Do të punojmë për ta përmbushur atë qëllim”, ka thënë Presidentja Roberta Metsola derisa eurodeputetët kanë duartrokitur.

“Ne duhet të përballemi  dhe do të përballemi bashkë me të ardhmen”.

“Qëndrojmë me ju në luftën për mbijetesë në këtë moment të errët të historisë. I dashur president Zelensky, tek ne gjeni një aleat, një vend për të ju adresuar Evropës dhe botës, dhe gjithmonë-gjithmonë një mik”.

Presidenti i Këshillit Evropian: Luftë e bazuar në gënjeshtra të neveritshme

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, e ka cilësuar “brutal” dhe të bazuar në “gënjeshtra të neveritshme” pushtimin rus në Ukrainë.

Ai ka paralajmëruar se ligji ndërkombëtar është duke u sulmuar dhe i ka përshkruar veprimet e Moskës si “terrorizëm gjeopolitik”.

Sa i përket aplikimit të Ukrainës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, ai e ka përshkruar këtë proces si sfidues.

“Do të jetë e vështirë, ne e dimë se ka qëndrime të ndryshme në Evropë”.

Megjithatë, kërkesën e Ukrainës e ka cilësuar si “legjitime” dhe “simbolike”.

NATO: Nuk ka nevojë për ndryshim të alarmit bërthamor 

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se aleanca nuk sheh nevojë për ndryshim të alarmit për armët bërthamore, pavarësisht kërcënimeve të Rusisë.

Stoltenberg ka folur për agjencinë e lajmeve, Associated Press pas bisedimeve që ka zhvilluar për siguri me presidentin polak, Andrzej Duda në bazën ajrore të Polonisë ku gjenden aeroplanë luftarakë të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara.

“Ne gjithmonë do të bëjmë atë që duhet për të mbrojtur aleatët tanë, mirëpo ne nuk mendojmë se ka nevojë për të ndryshuar nivelet e alarmit për forcat bërthamore të NATO-s”, ka thënë Stoltenberg.

Kremlini ka kërkuar që forca parandaluese – që përfshin edhe krahun bërthamor – të jetë në gatishmërinë më të lartë, pas urdhrit të presidentit rus, Vladimir Putin.

 Fjalimi i fuqishëm i von der Leyen: Kurrë kurrë kurrë s’do ta lejojmë Putinin që ta shkatërrojë Ukrainën

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë fjalimit të saj në Parlamentin Evropian, tha se BE-ja s’do ta lejojë kurrë presidentin e Rusisë, Vladimir Putinin, që ta shkatërrojë Ukrainën

Von der Leyen pas kësaj deklarate u prit me ovacione dhe duartrokitje nga eurodeputetët.

“Brenda Ukrainës, kanë filluar vdekjet e njerëzve të pafajshëm, burra, gra, e fëmijë po vdesin sepse presidenti Putin ka vendosur që shteti i tyre, Ukraina s’ka të drejtë të ekzistojë dhe ne s’do ta lejojmë kurrë kurrë që kjo të ndodhë, dhe kurrë kurrë s’do ta pranojmë këtë”, ka thënë von der Leyen gjatë fjalimit në Parlamentin Evropian për agresionin rus në Ukrainë.

Putin ka urdhëruar ushtrinë e tij që ta sulmojë Ukrainën në mëngjesin e 24 shkurtit. Ukraina po sulmohet nga tri anët, përmes kufirit me Rusinë, Bjellorusinë dhe nga gadishulli i Krimesë të cilin e ka aneksuar Rusia në vitin 2014.

Përkthyesi i Parlamentit Europian shpërthen në lot nga fjalët e presidetit të Ukrainës

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u prit me ovacione të vazhdueshme nga diplomatët europian teksa iu drejtua Parlamentit Europian, duke u thënë të pranishmëve se vendi i tij “po lufton për mbijetesë”.

“Ne po luftojmë vetëm për tokën dhe lirinë tonë”, tha Zelensky, duke bërë që përkthyesit të BE-së t’i dridhet zëri dhe të shpërthejë në lot, raporton CNN.

“Ne po luftojmë për jetën tonë… Ne po luftojmë për mbijetesë. Ky është motivimi ynë më i lartë,” tha Zelensky. “Por ne po luftojmë gjithashtu për të qenë anëtarë të barabartë të Evropës”, shtoi ai. “Unë besoj se sot ne po u tregojmë të gjithëve se kjo është pikërisht ajo që jemi.”

Zelensky kërkoi që Ukraina të anëtarësohet në BE me një proces të përshpejtuar të hënën.

Ai mori një ovacion të jashtëzakonshëm, teksa eurodeputetët u ngritën në këmbë duke duartrokitur.

***

Përfaqësuesit e Europës dhe aleatë të tjerë u larguan nga salla e mbledhjes së jashtëzakonshme të Parlamentit Europian teksa ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov u shfaq në një videokonferencë.

Një një video të postuar nga delegacioni francez shihen dhjetëra zyrtarë që dalin nga salla ndërsa Lavrov nis fjalimin e tij. Në përshkrimin e bashkangjitur videos, shkruhet se ky veprim u bë në kuadër të shfaqjes së mbështetjes ndaj Ukrainës.

Gjatë fjalimit të tij, Lavrov tha se nuk mundi të ishte prezent fizikisht për shkak të masave “fyese” të Bashkimit Europian, i cili ka aplikuar sanksione mbi Rusinë pas sulmit të saj drejt Ukrainës.

Kryetari i Parlamentit të Ukrainës: Çfarë mund t’i ndodhë Evropës nëse rusët kërkojnë të krijojnë Perandorinë e tyre?!

Kryetari i parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefanchuk gjatë një lidhje virtuale përmes imazheve video në seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit Evropian, iu ka bërë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që ta pranojnë antarësimin e Ukrainës në BE.

Kryetari i Parlamentit Ukrainas, Ruslan Stefanchuk: Po sulmohet një vend evropian. Ne po i dëshmojmë botës se jemi të bashkuar përballë këtij agresioni. Rusia po shkatërron gjithçka gjatë agresionit. Mendoni ju se çfarë mund t’i ndodhë Evropës nëse rusët kërkojnë të krijojnë Perandorinë e tyre, si do të mundet BE të mbrojë lirinë e saj të krijuar me vite me radhë?!  Unë po iu drejtohem nga një vend evropian sepse rusët po kërkojnë të pushtojnë një vend në kufijtë e BE. Unë ju bëj thirrje të na mbështesni. Mos rrini në paqen tuaj, por na mbështesni. Është koha për të mbrojtur Ukrainën. Ju duhet të pranoi vlerat tona, aspiratat për t’u bërë pjesë e BE. Ne po mbështesim rrugët evropiane të vendin tonë dhe duam të gjitha vendet të na mbështesin. Ne besojmë se kërkesa jonë do të mbështetet. Mbështeteni kërkesën tonë për të qenë të barabartë në BE. Unë besoj se PE do të mbështesë sanksionet e vendosura. Kemi një rrugë të gjatë për të vendosur se nuk do të ketë më vend i pafajshëm që do të sulmohet. Ukraina ka vërtetuar me fakte konkrete se Ukraina ka ditur gjithmonë të mbrojë vendin. Nuk mund të ketë paqe pa Ukrainën e lirë dhe të pavarur. Të rrojë Ukraina. Na mbështesni në përpjekjen tonë kundër Rusisë.

***

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka mbajtur një fjalim në seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit Europian, të mbledhur pikërisht për luftën që Rusia po bën në Ukrainë.

Përmes një video-konference, Zelensky tha se Ukraina po sulmohet edhe nga territori i Bjellorusisë dhe në çdo qytet ukrainas po sulmohet.

Presidenti ukrainas bëri thirrje që Bashkimi Europian ta mbështesë Ukrainën dhe të pranojë kërkesën e tyre për anëtarësim në BE.

“Po paguajmë një çmim të lartë për të mbrojtur pavarësinë e vendit tonë. Është një pushtim në shkallë të gjerë, një agresion me përmasa shumë të mëdha. Ata po vrasin njerëz të pafajshëm, po sulmojnë objektivat tona ushtarake. Ne po japim jetën tonë për lirinë, për demokracinë. Ne do të qëndrojmë të gatshëm deri në momentin e fundit për ta mbrojtur pavarësinë e vendit tonë. Ne vlerësojë shumë mbështetjen që po jepni për vendin tonë. Ne nuk do ta harrojmë kurrë këtë mbështetje. Ne kemi vendosur që Ukraina të ketë rrugën e saj drejt integrimit në familjen evropiane. Ne po përballemi me sulme të jashtëzakonshme nga territori i Bjellorusisë. Po sulmohet çdo qytet i Ukrainës. Keni parë sulmin e dhunshëm ndaj Kharkiv, janë sulmuar universitete, janë sulmuar objektiva civile. Ne nuk do të tolerojmë, nuk do të lëshojmë pe nga territori ynë. Në çdo qytet të Ukrainës po luftohet. Ne kemi dëshirë në forcat tona.

Pse duhet të vriten fëmijët e pafajshëm të Ukrainës. Ne besojmë se Bashkimi Europian do të jetë shumë më i fuqishëm nëse ne do të bëhemi anëtar. Dëshmoni edhe ju që jeni në krahun tonë, që nuk do të na lini vetëm. Mbështeteni Ukrainën. Ne nuk do të dorëzohemi kurrë”, deklaroi Zelensky.

Presidentja e PE: Mirëpresim kërkesën e Zelenksy-t për të pranuar Ukrainën në BE

 

Presidentja e Parlamentit Evropian, gjatë fjalës së saj në seancën e jashtëzakonshme të PE, është shprehur se unioni e mirëpret kërkesën e Presidentit të Ukrainës për t’u bërë pjesë e BE.

Presidentja e Parlamentit Evropian: Ne duhet të provojmë se oligarkët rusë nuk duhet të jenë të mirëpritur në hapsirën tonë. Ne e kemi bllokuar propagandën e Kremlinit në çdo hapsirë. Europa qëndron e bashkuar për të ecur më përpara. Ne e njohim dhe e dimë prespektivën dhe kemi mirëpritur kërkesën e Zelenksy-t për të pranuar Ukrainën në BE. Ky Parlament Evropian, ne do të ndalojmë çdo tentativë të Kremlinit për t’u futur në PE sepse agresorët që nisin luftën nuk kanë asnjë vend në shtëpinë e demokracisë. Evropa nuk do të ketë më asnjë akses tek gazi i Kremlinit, pra nuk do t’i mbajë shpresat aty dhe gjithashtu sistemi ynë i energjisë nuk duhet të jetë i varur nga Kremlini. Ka të bëjë me disa sanksione të forta që do të ndërmerren. Ne nuk mundemi më që të shesim pasaporta për njerëzit e Putin-it. Evropa duhet të lëvizë për të pasur mbrojtje të Unionit. Ne duhet të luftojmë dhe pikëpamjet e Kremlinit në lidhje me këtë çështje. Këtu nuk ka asnjë falje ndaj atyre që nisin luftën. President Zelenksy faleminderit, ne jemi bashkë tani dhe do të jemi bashkë në të ardhmen dhe do të qëndrojmë pranë Ukrainës.

Zelensky do t’i drejtohet Parlamentit Evropian, ku Ukraina pritet të anëtarësohet në BE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky pritet t’i drejtohet Parlamentit Evropian në debatin e sotëm mbi pushtimin rus dhe aplikimin që ka nënshkruar dje që Ukraina të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Ndryshe, dje Der Leyen ka thënë se blloku perëndimor do të vazhdojë, sot , me miratimin e anëtarësimit të Ukrainës në BE.

Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola do ta hap debatin në orën 12.30.

“Plenari do të miratojë një rezolutë për të mbyllur debatin”, thuhet në njoftimin e tyre.

Me iniciativën e Presidentit Metsola, në orën 15.30 do të ketë një tubim të eurodeputetëve, stafit dhe të ftuarve ukrainas në Esplanade para Parlamentit Evropian në Bruksel, për të treguar solidaritet me Ukrainën dhe popullin e saj.

Kujtojmë, se Zelensky ka kërkuar me procedura të shpejtuara për t’u anëtarësuar Ukraina në BE.

***

Në seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit Evropian më 1 mars pritet të miratohet një rezolutë për agresionin e Rusisë në Ukrainë.

Përveç dënimit të sulmit rus dhe shprehjes së mbështetjes për rezistencën ukrainse, Parlamenti Evropian pritet të shprehë edhe shqetësimin për tentimet e Rusisë për të destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Shohim me shqetësim të thellë përpjekjet këmbëngulëse të Federatës Ruse për destabilizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ndërhyrjen në proceset e tyre demokratike”, thuhet në tekstin e rezolutës.

Aty dënohen vendet që “kanë shprehur mbështetje për Federatën Ruse për agresionin në Ukrainë dhe mirëpritet mbështetjea e shprehur nga ato vende të Ballkanit Perëndimor të cilat janë aleate euro-atlantike”.

“Fuqishëm shprehim keqardhje për mospërshtatjen e Serbisë me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, gjë që dëmton procesin e anëtarësimit drejt BE-së dhe përsëritet pritja që kandidatët për anëtarësim në BE të përshtaten jo vetëm me ligjet e BE-së, por edhe me politikën e jashtme dhe të sigurisë së bllokut”, thuhet në rezolutën që pritet të votohet në Parlamentin Evropian.

Është paralajmëruar se deputetëve do t’iu drejtohet edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky përmes video-lidhjes.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat